Nesër lahen rrugët e ndaluara në Prishtinë

E publikuar: 31/01/2018 18:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se do të vazhdojë edhe nesër ndalimi i qarkullimit të veturave në rrugët qendrore në kryeqytet. Ai ka njoftuar se nesër rrugët e ndaluara do të lahen.
I pari i Prishtinës është shprehur i kënaqur me mbarëvajtjen e vendimit për t’u ndaluar qarkullimi i rrugëve në qendër të kryeqytet, në mënyrë që të zbutet niveli i lartë i ndotjes së ajrit.

Sot një qytet ndryshe”, ka shkruar Ahmeti në Facebook, ku ka treguar se i njëjti rregull do të vlejë edhe nesër.

Ai ka kërkuar falje për telashet që u ka krijuar një grupi të njerëzve ndalimi i qarkullimit të veturave, ndërsa, Ahmeti ka thënë se nesër rrugët e bllokuara nga ora 10:00 do të lahen.

Nga sot në komunën e Prishtinës është marrë vendim që të ndalohet qarkullimi i veturave në rrugët kryesore prej orës 6:00 të mëngjesit, deri në orën 22. Po ashtu Komuna bashkë me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe Ambientit kanë vendosur që ndalohet shitja e thëngjillit në Prishtinë.

Këto masa janë marrë pasi për ditë të tëra në matjet e ndotjes së ajrit, Prishtina është renditur e para si qyteti me ajrin më të ndotur në botë.