Nesër ditë zie në Kosovë për tre kosovarët e vrarë në Munih, flamujt ulen në gjysmë shtizë

E publikuar: 23/07/2016 15:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova nesër, e diel, 24 korrik, është në ditë zie, ngase tre nga dhjetë viktimat e sulmit në Munih të Gjermanisë, janë kosovarë.

Ditë zie e ka shpallur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke thënë se kjo është një tragjedi e madhe dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve të të gjitha viktimave, raporton lajmi.net

“Vendosa të shpall Ditë Zie ditën e diele për të nderuar viktimat me prejardhje nga Kosova të sulmit terrorist në Mynih. Ky akt i dhunës ka prekur zemrat tona dhe ndërgjegjën e Europës. Familjeve të viktimave iu shprehi ngushëllime të thella. Unë dhe populli i Kosovës përkulet para tyre. Janë heronj të luftës për liritë dhe vlerat e përbashkëta në Europë”,thotë ai.

Me vendim të presidentit Thaçi, flamujt ulen në gjysmë shtizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Sulmuesi i aktit barbar, që tronditi botën, ishte gjermano-iranian, 18 vjeçar, që Policia thotë të mos ketë pasur lidhje me ISIS, por ai që shumë kohë kishte probleme dhe po trajtohej te psikiatri.

Të vrarët janë të gjithë të rinj deri në moshën 21 vjeçare, dhe mediat e mëdha botërore e kanë quajtur ‘vrasësi i të rinjve’, raporton lajmi.net

Viktimat kosovare, Dijamant Zabërgja, Sabina Sulaj dhe Armela Segashit, ishin të moshës 21, 14 dhe 18 vjeçe. Ngjarja ndodhi në një qendër tregtare, në Munih të Gjermanisë në pasditen e 22 korrikut.

Vrasësi Ali David Sonboly, pasi vrau nëntë persona vrau edhe veten.