Nëse ftohen liderët shtetërorë nga Specialja duhet të paraqiten

E publikuar: 13/02/2019 11:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hysni Gucati, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka bërë të ditur për “Zërin” se shumë ftesa të reja kanë arritur në Kosovë nga Gjykata Speciale. Sipas tij, të ftuarit e saj duhet të mbrohen në heshtje.

Shumë ftesa të reja kanë arritur në Kosovë nga Gjykata Speciale për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” Hysni Gucati, kryetar  i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke mos dhënë detaje se kush janë të ftuarit e Speciales.

 Kreu i veteranëve të UÇK-së nuk beson se Gjykata Speciale do t’i ftojë edhe liderët e vendit, presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli, të cilët po ashtu kanë qenë ish-eprorë të UÇK-së, por edhe nëse ftohen ata duhet t’i përgjigjen pozitivisht Gjykatës, shrkuan Gazeta “Zëri”.

Zëri: A besoni se Gjykata Speciale do t’i ftojë edhe liderët shtetërorë, si presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj ose kryeparlamentarin Kadri Veseli?

Gucati: Unë nuk e besoj këtë gjë, por ne po jetojmë në Kosovë dhe e dimë që këtu gjithçka mund të ndodhë. Por personalisht nuk besoj se liderët do të jenë të ftuar. Edhe nëse do të ftohen duhet të paraqiten, sepse asnjë luftëtar i UÇK-së nuk është kundër drejtësisë, sepse vetë kanë qenë pjesë e luftës dhe besoj pafundësisht në ta.
 

Zëri: Ju personalisht u keni bërë thirrje pjesëtarëve të UÇK-së që kanë marrë ftesë nga Gjykata Speciale të mos i përgjigjen asaj. A vlerësoni që bojkotimi i kësaj Gjykate është zgjidhja e duhur?

Gucati: Është e vërtetë që unë kam bërë thirrje, por jo për të mos iu përgjigjur Gjykatës, por për t’u mbrojtur në heshtje. Unë kam bërë thirrje që çdo pjesëtar i UÇK-së duhet t’i përgjigjet Gjykatës, por të mbrohet në heshtje, ashtu siç ka bërë z. Sami Lushtaku, Sylejman Selimi dhe disa të tjerë.

Zëri: A mund kjo Gjykatë ta njollosë luftën e UÇK-së?

Gucati: Jo, asnjëherë në jetë. Lufta e UÇK-së ka qenë një luftë e drejtë, sepse askund në botë nuk ka luftë të paqes dhe në momentin që derdhet gjak nuk ka luftë të pastër, por ka luftë të drejtë. Këtu është bërë një luftë e drejtë, sepse kemi qenë në vendin tonë dhe në shtëpitë tona. Të gjithë dëshmorët si: Adem Jashari, Luan Haradinaj, Zahir Pajaziti etj, të gjithë kanë vdekur në pragun e shtëpisë, në tokën e vet. Për këtë jam i bindur që kjo Gjykatë nuk mund ta njollosë luftën e UÇK-së, por as Kosovën.

Zëri: A keni pasur takime me ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët tashmë janë intervistuar nga kjo Gjykatë dhe çka është thënë nga ta?

Gucati: Me shumicën prej tyre kemi pasur takime. Nuk kemi kaluar shumë në detaje, sepse është e ndaluar kjo gjë, por i kemi vizituar. Ata kanë kaluar shumë mirë në intervistim dhe janë optimistë 100% që do të dalin faqebardhë. /ZËRI