Nëse demarkacioni s’kalon bie Qeveria, kufiri i NATO’s s’ndryshohet me luftë

E publikuar: 30/04/2017 14:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

PDK dhe LDK do të shohin javën e ardhshme nëse i kanë votat për votimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Ish-anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Naim Maloku thotë se nëse dështon demarkacioni Qeveria duhet të dorëhiqet. Ai thotë se ky problem do të bartet dhe do të shkaktojë telasha edhe qeverive tjera. I quan mashtrim kushdo që thotë se kufirin me NATO’n e ndryshojmë me luftë ose me arbitrazh pa pasur

As me luftë dhe as me arbitrazh ndërkombëtar s’mund ta ndryshojë Kosova kufirin me Malin e Zi. Ky është konstatimi i ushtarakut Naim Maloku, i cili ka qenë njëri prej udhëheqësve të Parlamentit të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai ka thënë se me luftë s’ka mundësi të bëhet ndonjë ndryshim i kufirit me një vend që do të jetë në NATO derisa në arbitrazh s’mund të shkojë një çështje pa pajtimin e dy palëve.

Maloku është i bindur se bindur se Kosova ka humbur disa hektarë tokë me Malin e Zi për fajin e Qeverisë paraprake dhe kësaj të tanishmes.

Javën e ardhshme është paralajmëruar se demarkacioni do të dalë për votim në Kuvend.

Naim Maloku jep përgjigje se çka duhet të ndodhë nëse dështon marrëveshja më problematike e dy Qeverive të fundit të Kosovës.

“Dështon demarkacioni s’mbetet pos tjetër të dorëhiqet Qeveria”, ka thënë Maloku, në një bisedë për Express.

Ish-deputeti i Kuvendit thotë se përgjegjësinë për këtë dështim duhet ta marrin PDK e LDK.

Por, problemi më i madh, sipas tij, nuk është shkuarja në zgjedhje të reja dhe moskalimi i demarkacionit në këtë mandat sa bartja e problemit te Qeveri e re. Prandaj, Maloku këshillon partitë nëse shkohet në zgjedhje të reja për shkak të këtij problemi të sqarojnë se çka do të bëjnë.

“Secila Qeveri do ta ketë problemin numër një që do të ballafaqohet. Duhet t’ua sqarojnë qytetarëve se si do ta zgjidhin këtë problem”, ka thënë ai.

Partitë kryesore veç kanë filluar fushatën parazgjedhore. Kadri Veseli e Isa Mustafa po vazhdojnë tubimet partiake, njëri ditëve të javës, tjetri vikendeve.

Dështon demarkacioni s’mbetet tjetër pos të dorëhiqet Qeveria

NAIM MALOKU

Në këtë situatë kanë nisur edhe kalkulimet se kush do të mund të ndërtojë Qeverinë e re.

Sipas Naim Malokut, partitë duhet të mos thonë se s’bëjnë kurrë koalicion me një parti të caktuar, për shkak se praktika ka treguar se ndodh e kundërta. E ka marrë shembullin e kur LDK ‘bënte be’ se nuk shkon në një Qeveri me PDK’në.

Të njëjtën e thotë edhe për AAK’në, për të cilën thotë se është vonë për të marrë pjesë në Qeveri.

Sipas Malokut, po të shkonte përpara ideja e tij, që AAK të hynte në Qeverinë e vitit 2010, atëherë problemi i demarkacionit e asociacionit nuk do të ishte.

Ai thotë se është vështirë të parashikohet se kush do të jetë në Qeverinë e re, megjithëse, thotë se duhet të punohet sa më shumë në baza programore për zgjidhjen e problemeve edhe përtej demarkacionit e asociacionit. Si ushtria, papunësia, zhvillimi ekonomik, arsimi  e shëndetësia.