Nëntë të vdekur nga goditja me furgon në Toronto

E publikuar: 24/04/2018 00:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nëntë njerëz kanë vdekur dhe 16 të tjerë janë plagosur pasi një person ka përplasur furgonin për këmbësorë në kryeqytetin e Kanadasë, Toronto, tha policia.

Shoferi ka ikur nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar disa blloqe më tej dhe është dërguar në paraburgim, thanë autoritetet e rendit.

Ato po ashtu thanë se nuk e kanë përcaktuar ende motivin e sulmit.

Ministri i Sigurisë Publike i Kanadasë, Ralph Goodale, nuk pranoi të komentojë mbi atë që mund të ketë nxitur incidentin.

“Hetimet janë në një fazë ku asnjë informacion i mëtejshëm nuk mund të konfirmohet”, tha Goodale në një konferencë për media.

“Policia po heton për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur dhe pse ka ndodhur”, shtoi ai.

Incidenti ka ndodhur në rrugën Yonge në orën 13:30, sipas kohës lokale.

Policia kërkoi nga qytetarët të shmangin zonën, ndërsa shërbimet e metrosë pranë u pezulluan.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se lutet për të gjithë të prekurit nga “incidenti i tmerrshëm”.

Agjencia e lajmeve Reuters kujton se ka pasur disa sulme vdekjeprurëse, duke goditur me automjete, në SHBA dhe në Evropë, përfshirë një më 31 tetor në Nju Jork, ku kanë mbetur të vrarë tetë njerëz.

Grupi militant Shteti Islamik i inkurajon mbështetësit të përdorin automjetet për sulme.

Në Toronto, përkatësisht rreth 30 kilometra nga vendi i incidentit të së hënës, po mbahet një takim i ministrave të Jashtëm të G7-ës, apo grupit të shtatë vendeve më të industrializuara.

Përgatiti: Valona Tela