Nëntë persona janë nxjerrë të vdekur nga një minierë në Kinë

E publikuar: 25/01/2021 14:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nëntë minatorë kinezë janë gjetur të vdekur një ditë pasi 11 kolegë të tyre janë shpëtuar pas dy javëve të bllokimit në një minierë ari në provincën Shandong.

Kryetari i qytetit Yantai, Chen Fei është cituar të ketë konfirmuar vdekjet, sipas transmetuesit shtetëror CCTV.

Për një minator vazhdon të mos ketë informacione askush, transmeton REL.

Si pasojë e shpërthimit të 10 janarit në provincën Shandong, kanë mbetur të bllokuar 22 punëtorë, rreth 600 metra në thellësi të tokës.

Një minator tjetër veçse ka vdekur.

Por, e diela ka qenë ditë gëzimi pas nxjerrjes së 11 minatorëve në sipërfaqe të tokës.

“Nga pasditja e së shtunës e deri më sot, ekipet e shpëtimit nuk kanë ndalur kërkimet dhe kanë gjetur nëntë minatorë, të cilët fatkeqësisht kanë vdekur”, ka thënë kryetari Chen Fei të hënën.

Minierat e Kinës janë ndër më vdekjeprurëset në botë.

Sipas Administratës Kombëtare për Siguri të Minave, në minierat e Kinës më 2020 janë regjistruar 573 viktima.