Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së viziton Korenë e Veriut

E publikuar: 05/12/2017 18:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara po fillon sot një vizitë tre ditore në Korenë e Veriut, në një kohë kur Pheniani ka shtuar provat bërthamore dhe me raketa balistike.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara Stephane Dujarric tha se Nënsekretari i Përgjithëshëm për Çështjet Politike, Jeffrey Feltman, është zyrtari i parë i OKB-së që viziton Korenë e Veriut në gjashtë vitet e fundit.

“Zoti Feltman do të disuktojë me zyrtarët e Phenianit çështje të interesit dhe shqetësimeve të përbashkëta, do të takohet me ekipin e OKB-së në atë vend dhe me pjesëtarë të korpusit diplomatik, si dhe do të vizitojë projektet tona atje,” – tha zëdhënësi.

Koreja e Jugut shpreson se vizita e zotit Feltman do të ndihmojë që Veriu të futet në rrugën e çnuklearizimit. Noh Kyu-duk është zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut.

“Kemi biseduar nga afër me OKB-në për çështjet globale përfshirë Korenë e Veriut. Shpresojmë që nëpërmjet vizitës së zotit Feltman në Korenë e Veriut, të përcillet mesazhi i bashkuar i komunitetit ndërkombëtar, që Pheniani duhet të ndalojë provokimet dhe kërcënimet dhe të kthehet në një rrugë domethënëse të çnuklearizimit.”

Një javë më parë, Pheniani lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale për të cilën tha se mund të arrinte objektiva brenda Shteteve të Bashkuara.