Nenad Rikallo shpenzoi mijëra euro për udhëtime e dreka

E publikuar: 13/04/2019 21:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

25 mijë euro kanë shpenzuar gjatë vitit të kaluar ministri i i shkarkuar i Bujqësisë, Nenad Rikallo dhe katër zëvendësit e tij për shpenzime të reprezentacionit, udhëtime jashtë vendit dhe mëditje.

Nenad Rikallo e zëvendësministrat Jeton Emini, Isni Kilaj, Shukri Maxhuni dhe Mevludin Krasniqi kanë shpenzuar mbi 10 mijë euro të taksapaguesve kosovarë për mëditje dhe udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Sipas të dhënave zyrtare të cilat i ka siguruar Insajderi, ministri Rikallo – i shkarkuar në muajin shkurt të këtij viti – nuk është kursyer për udhëtimet zyrtare jashtë vendit. Ka harxhuar rreth 5 mijë euro për këtë kategori shpenzimesh, raporton Insajderi.

Rikallo, po ashtu është paguar nga paratë e taksapaguesve kosovarë me 4 mijë e 388 euro për mëditje vetëm gjatë vitit 2018.

Mëditje prej 600 eurove ka marrë edhe zëvendësi i tij, Jeton Emini. Ndërkaq, dy zëvendësministrat e tjerë: Isni Kilaj dhe Mevludin Krasniqi, kanë marrë rreth 200 euro mëditje gjatë vitit të kaluar.

Përveç 10 mijë eurove në total që shpenzuan për mëditje dhe udhëtime jashtë vendit, ministri Rikallo dhe katër zëvendësat e tij kanë shpenzuar edhe rreth 5 mijë euro për shpenzime të reprezentacionit – dreka zyrtare e telefonata.

Rikallo, i vetëm ka shpenzuar mbi 5 mijë euro për dreka e darka zyrtare dhe telefonata.

Sipas të dhënave që ka siguruar Insajderi, vetëm gjatë muajit korrik të vitit të kaluar, Rikallo kishte shpenzuar 577 euro për dreka e darka zyrtare.

E, katër zëvendësat e Rikallos, kanë shpenzuar edhe rreth 9 mijë euro së bashku për shpenzimet e reprezentacionit. Në total, pesë zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Bujqësisë shpenzuan 14 mijë e 561 euro për dreka zyrtare e telefonata më 2018.

Afro 700 mijë euro kanë shpenzuar shtatë ministri të qeverisë së Kosovës vetëm gjatë vitit të kaluar për paga, meditje, dreka, darka, karburante e telefona.