Neglizhoi rastin, shteti detyrohet t’i paguajë 95 mijë euro familjes së Diana Kastratit

E publikuar: 06/09/2019 15:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore e Prizrenit e ka detyruar Republikën e Kosovës që ta kompenzojë dëmin prej 95 mijë eurosh që Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka shkaktuar familjes Kastrati duke neglizhuar rastin e vajzës së saj të ndjerë, Diana Kastrati.

Lajmi u bë i ditur Shoqëria e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini” SHPK.

“Familja e të ndjerës Diana Kastrati, e përfaqësuar nga avokatura “Sejdiu & Qerkini”, pas disa viteve në kontest civil për kompensim dëmi kundër Republikës së Kosovës, sot mori lajmin se Gjykata Themelore në Prizren ka detyruar Republikën e Kosovës që ta kompensojë dëmin prej €95,000.00 që Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shkaktuar atyre duke neglizhuar rastin e vajzës së tyre të ndjerë, rrjedhimisht duke i shkelur asaj të drejtën në jetë”, thuhet në postimin e saj në Facebook.

Ndryshe, Diana Kastrati është vrarë në maj të 2011-s dhe i dyshuari kryesor për kryerjen e këtij krimi është ish-bashkëshorti i saj Adnon Jashari, me të cilin ajo kishte qenë e martuar për 10 vjet.