Nedved: Juve di si të ndalë Barcelonën

E publikuar: 28/05/2015 13:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Finalja e Championsit 2003 do të mbetet ndoshta një peng për gjithë jetën për Pavel Nedved.

Atë kohë ceku mori një karton të verdhë pasi ndëshkoi me një gol fantastik në gjysmëfinale Realin e Madridit dhe më pas Juventusi i tij humbi me penallti në finale ndaj Milanit. Tani ish fituesi i Topit të Artë do të bëjë tifo sërish për Juven e tij në finalen e kompeticionit madhor, këtë herë kundër Barcelonës. Nedved duket se i ka idetë mjaft të qarta mbi mënyrën se si Allegri duhet të imponojë ndeshjen.

“Duhet të kërkojmë t’i bezdisim vazhdimisht me sulmuesit tanë, duhet ti sulmojmë dhe të luajmë shanset tona”

Ish mesfushori cek nuk e fsheh një farë ndroje në lidhje me sulmin e Barcelonës me treshen Messi – Suarez – Neymar që ka qenë arma më e frikshme e katalanasve në një sezon fantastik për ta.

” Nëse i presim pas kjo do të thotë që herët a vonë të pësojmë një gol, ata janë mësuar me këto situata kur një skuadër mbyllet, dhe dinë t’i menaxhojnë mjaft mirë. Është një ndeshje teke dhe forma fizike e skuadrave do të luajë një rol vendimtar. Një skuadër që mund të rreshtojë Messin, Suarez e Neymar e nis me avantazhin 2-0 cdo ndeshje”.

E sigurt është se Juventusi tani që ka arritur në finale, as nuk e con ndër mend që të pushojë së ëndërruari.

” Fitorja e Championsit do të ishte shumë domethënëse edhe për mua . Nuk e prisnim të arrinim deri këtu, por e meritojmë. Pasi mposhtëm Realin na është rritur besimi. Nuk do të ikim në Berlin vetëm për të marë pjesë. Kjo nuk është dicka që i shkon Juventusit. Buffon? Ai është një fenomen, i mungon vetëm kjo Kupë dhe në Berlin duhet ta ngrejë ai”.