Në vitin 2018 – 12 policë u arrestuan dhe 36 raste u hetuan për korrupsion

E publikuar: 19/03/2019 16:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inspektorati Policor i Kosovës gjatë vitit 2018 ka pranuar dhe ka menaxhuar me 1419 ankesa dhe informata që në krahasim me vitin e kaluar numri i ankesave ka një ngritje të lehtë (vitin e kaluar IPK ka trajtuar 1226 ankesa).

Prej tyre 762 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës.

Nga 143 raste me elemente të veprës penale, 90 janë dërguar me kallëzim penal  nga  Departamenti i Hetimeve në prokuroritë kompetente, ndërkaq me raport të veçantë janë dërguar 18 raste.

Gjithsej gjatë vitit 2018 si subjekt i hetimit nga IPK-ja kanë qenë 194 punonjës të PK-së. E shprehur në përqindje i bie që vetëm 2.29 % i punonjësve të PK-së janë hetuar nga IPK-ja me dyshimin se kanë kryer vepra penale, thuhet në komunikatë të IPK-së.

Gjatë vitit 2018, IPK-ja ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime:

12 arrestime;

50 suspendime;

10 transfere.

Këtë vit IPK-ja ka hetuar 36 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare .

Në përmbushje të përgjegjësive dhe detyrave, Divizioni i Inspektimit dhe Raportimit në kuadër të Departamentit të Inspektimit në drejtim të vlerësimit të kryerjes së detyrave policore në raport me legjislacionin dhe standardet e kërkuara, gjatë vitit 2018 ka realizuar nëntë (9) inspektime, nga të cilat, pesë (5) të rregullta bazuar në Planin Vjetor të Inspektimit dhe katër (4) të jashtëzakonshme.