Në SHBA kërkojnë rihapjen e ekonomisë

E publikuar: 20/04/2020 08:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Protestuesit kanë dalë në rrugë në shumë shtete të SHBA-së, duke kërkuar nga autoritetet të rihapin ekonomitë e mbyllura nga pandemia e koronavirusit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sinjalizuar mbështetjen për protestat.

Ai ka thënë se masat e ndalimit në vende si në Minesota, Miçigan dhe Virgjinia ishin “shumë të ashpra”.

Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, Nancy Pelosi, kritikoi zotin Trump për miratimin e protestave.

“Ai nuk ka bërë sa duhet për testimin, trajtimin, gjurmimin e kontaktit dhe izolimin për shkak të pandemisë”, tha ajo për ABC.

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, njoftoi këtë javë se shteti do të zgjasë masat e qëndrimit në shtëpi deri më 15 maj.

“Ende duhet të sigurohemi që e mbajmë atë bishë nën kontroll”, tha Cuomo.

SHBA-ja është bërë qendra e krizës së koronavirusit të ri Covid-19, me mbi 735,000 raste të të infektuarve dhe rreth 40,000 vdekje.

Koronavirusi i ri u shfaq për herë të parë në Kinë në fund të vitit të kaluar dhe më pas u shpërnda në pothuajse gjitha vendet e botës.

Guvernatorët në disa shtete kanë filluar diskutimet për të planifikuar rihapjen pas shenjave të ngadalësimit të përhapjes së virusit, por rajone të tjera mbeten në izolim të rreptë. /REL/