Në rrezik traktati INF për raketat bërthamore me rreze të mesme

E publikuar: 06/12/2018 01:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Putin ka kërcënuar se do të tërhiqet nga traktati për eliminimin e raketave me rreze të mesme veprimi, një pakt historik i nënshkruar në fund të Luftës së Ftohtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Paralajmërimi rus pason akuzat e Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo se Rusia e ka shkelur traktatin dhe se Uashingtoni i jep Moskës 60 afat për të dëshmuar se zbaton kushtet e specifikuara, përndryshe Amerika do ta braktisë paktin.

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se nëse tërhiqen nga traktati INF për eliminimin e raketave me rreze të mesme veprimi dhe nëse fillojnë të prodhojnë raketat e ndaluara, Rusia do të përgjigjet me të njëjtën monedhë.

“Është e qartë dhe e dinë të gjithë se deklarata e Sekretarit Pompeo është e vonuar. Pala amerikane e kishte thënë që më parë se donin ta braktisnin traktatin dhe më pas filluan të kërkojnë një justifikim për këtë hap. I vetmi justifikim që nxorën ishte se ne rusët po e shkelnim traktatin. Dhe si zakonisht, nuk mbështesin pretendimin në prova”.

Deklaratat e udhëheqësit rus për agjencitë ruse të lajmeve pasojnë komentet e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dje në Bruksel në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara deklarojnë sot se e kanë kapur Rusinë në shkelje të traktatit dhe në përgjigje të kësaj situate do të pezullojmë detyrimet tona duke filluar pas 60 ditësh, nëse Rusia nuk rifillon të përmbushë plotësisht dhe në mënyrë të verifikueshme kushtet e traktatit. Ne i marrim këto hapa për një numër arsyesh. Së pari, veprimet e Rusisë minojnë rëndë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara si dhe të aleatëve e partnerëve tanë”.

Shtetet e Bashkuara u kanë paraqitur aleatëve në NATO prova të grumbulluara nga shërbimet e zbulimit që tregojnë se raketat e reja ruse tokë-tokë mund t’i japin mundësi Moskës të ndërmarrë një sulm bërthamor në Evropë.

Rusia mohon të ketë shkelur paktin e rëndësishëm bërthamor.

Po dje në Bruksel, zoti Pompeo tha para një audience skeptike evropiane se sistemi i krijuar pas Luftës II Botërore, “na zhgënjeu, si ne, edhe ju”. Ai përmendi në kritikat e tij ndër të tjera Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

“Kur shkelen traktatet, dhunuesit duhen vënë para përgjegjësisë, traktatet duhen rishikuar ose braktisur. Fjalët duhet të kenë domethënie. Prandaj administrata jonë ose do të braktisë në mënyrë legjitime ose do të rinegociojë traktate të vjetëruara, apo të dëmshme tregtare si dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare që nuk i shërbejnë interesit tonë kombëtar, apo interesave të aleatëve tanë”.

I pyetur për reagimet e tij ndaj kapjes së tre anijeve ukrainase nga Rusia në Detin Azov, Sekretari Pompeo tha se ekziston konsensus i plotë se veprimet ruse janë të paligjshme:

“Shpresojmë se Rusia do të lirojë menjëherë detarët që ka ndaluar dhe së bashku me partnerët do të përgatisim një numër masash për t’i treguar Rusisë që kjo sjellje është thjesht e papranueshme”.

Presidenti Donald Trump përmendi incidentin në Detin Azov si arsye për anulimin e takimit që kishte planifikuar të zhvillonte me Presidentin Putin javën e kaluar në Argjentinë.