Në raportin e Martyt, Veseli përshkruhet si kryesori në kampet e supozuara të mbajtjes në Shqipëri

E publikuar: 07/11/2019 19:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Figurave të larta të luftës së UÇK-së që janë ftuar nga Dhomat e Specializuara për t’u paraqitur në Hagë, u është shtuar edhe emri i Kadri Veselit.

Emri i tij përmendet në disa raste, në raportin që çoi në krijimin e Gjykatës Speciale – atij të Dick Martyt.

Për herë të parë, në raport, te gjetjet nga hetimi në terren, në pikën 68, emri i Veselit përmendet si pjesë e Grupit të Drenicës, që pretendohej se udhëhiqej nga Hashim Thaçi, pjesë e të cilit ishin edhe Xhavit Haliti, Azem Syla e Fatmir Limaj, raporton KTV.

Të gjithë emrat e lartshënuar, raporti përmend se ishin hetuar në vazhdimësi si të dyshuar për krime lufte, krim të organizuar në raste të mëdha nga prokurorë të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës dhe EULEX-it.

“Megjithatë, deri në këtë ditë, të gjithë i janë shmangur drejtësisë efektive,” përfundon kjo pikë.

Një pikë tjetër më e rëndë që implikon Veselin, por edhe të përmendurit tjerë, është pika 72.

“Burimet tona të dorës së parë, me besueshmëri kanë përfshirë Halitin, Veselin, Sylën dhe Limajn, përkrah Thaçit dhe të tjerë nga rrethi i tij i afërt, në urdhërimin, dhe në disa raste mbikëqyrjen personale të – vrasjeve, burgimet, rrahjet dhe marrjet në pyetje në disa pjesë të Kosovës, dhe, në interesin tonë, në kontekst të operacioneve të udhëhequra nga UÇK-ja në territorin e Shqipërisë, mes viteve 1998 – 2000”.

Një tjetër pikë e raportit, ish-kryetarin e Kuvendit, e lidh me Shaip Mujën, dhe Xhavit Halitin, si një grup që kishte përgjegjësi për të gjetur mënyra kreative për t’i vënë në përdorim miliona dollarë donacione për luftën, inicimin e lidhjeve me ushtri private të jashtme dhe kompanive private të sigurimit. Pika 82.

Pika 104 e raportit e bën përgjegjës Kadri Veselin, i njohur me nofkën Luli, për politikën e marrjes në pyetje të personave të dyshuar që kishin bashkëpunuar me autoritetet serbe, politikë që raporti pretendon se ishte zhvilluar kryesisht në shtetin e Shqipërisë.

E fundit herë që përmendet emri i tij në raport është në pikën 114, se ish-komandantë të UÇK-së që kishin udhëhequr kampet e supozuara në Shqipërinë Veriore, ishin të lidhura me grupin e “Drenicës, nën drejtim të Hashim Thaçit dhe bashkërendim mes tjerësh edhe me Veselin.

Përveç Kadri Veselit, publikisht, prej emrave më të përmendur të raportit të Martyt, është konfirmuar edhe ftesa për Azem Sylën por jo për Thaçin, Halitin e Mujën.