Në pritje të protestave të tjera sot përgjatë kufirit të Gazës

E publikuar: 15/05/2018 15:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Protesta të tjera priten sot përgjatë kufirit të Gazës, pas një dite përleshjesh në të cilat forcat izraelite vranë të paktën 58 palestinezë dhe plagosën më shumë se 2 mijë e 700 të tjerë. E hëna ishte dita më e përgjakshme e dhunës ndërkufitare në Gazë, që nga një luftë e vitit 2014 me Izraelin.

Autoritetet në Gazë u bënë thirrje civilëve të shpërndaheshin, pasi shpërthimet me bombë goditën objektiva ushtarake në territor.

Gazeta Haaretz me seli në Tel Aviv tha se autoritetet izraelite dhanë urdhër për bombardime në përgjigje të sulmeve të fundit të militantëve.

“Veprimet e ushtrisë janë brutale ndaj palestinezëve, ndaj fëmijëve, grave dhe burrave. Siç e dini, protestuesit e rinj erdhën këtu të pambrojtur dhe këta protestues dëshirojnë t’i dërgojnë një mesazh botës, se duan të kthehen në tokat e tyre, në tokat që kishin në vitin 1948. Ne jemi ende këtu dhe do të vazhdojmë punën tonë të vështirë këtu si një ekip mjekësor dhe si palestinezë “, thotë Assad Salem, vullnetar në një qendër mjekësore.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se 58 vetë u vranë dhe më shumë se 2,400 u plagosën të hënën, me më shumë se 130 prej tyre në gjendje “kritike” ose “serioze”.

Më 15 maj palestinezët përkujtojnë përvjetorin e asaj që e quajnë “nakba” apo “katastrofa”, duke ju referuar ditës kur qindra mijëra palestinezë u dëbuan apo ikën gjatë luftimeve të vitit 1948 kur u krijua shteti i Izraelit. Refuzimi i “të drejtës së tyre për t’u kthyer”, është një prej mosmarrëveshjeve kryesore në bisedimet e paqes ndërmjet arabëve dhe izraelitëve.

Protestat e këtyre ditëve janë pjesë e demonstratave që filluan në fund të marsit. Hamasi, organizata që qeveris në Gazë, e ka quajtur protestën, “Marshim i Kthimit”.

Hamasi, pjesërisht ose në tërësi, cilësohet si organizatë terroriste nga disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.