Në pritje të ndeshjes Shqipëri-Serbi

E publikuar: 08/10/2015 19:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të gjithë janë në pritje të takimit Shqipëri-Serbi, që luhet këtë mbrëmje në stadiumin “Elbasan Arena”. Bëhet fjalë për ndeshjen që mund të ndryshojë historinë e futbollit shqiptar, pasi në rast fitoreje mund t’i garantojë vendit tonë pjesëmarrjen në Evropianin 2016.

Pasditen e së mërkurës, trajneri i kombëtares sonë të futbollit, Gianni De Biasi u kërkoi tifozëve që të tregojnë maturi dhe qetësi, duke iu rikujtuar se luajnë të ardhmen dhe kualifikimin në sfidën ndaj ballkanasve. De Biasi tha se objektivi i vetëm është fitorja dhe se për formacionin titullar i ka idetë të qarta.

“Futemi në fushë gjithmonë për të fituar ndeshjen dhe jo për barazim, sepse duam të arrijmë objektivat që kemi. Ndaj Serbisë luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme, duke qenë se është kundërshtar i fortë dhe ky takim është vendimtar për ta ardhmen tonë. Për një trajner kjo është ndeshje e thjesht për t’u përgatitur pasi lojtarët e kanë motivimin brenda. Ne i respektojmë rivalët, por besojmë në forcën tonë dhe do të luajmë për të fituar ndeshjen. Unë besoj se do t’ia dalim dhe nëpërmjet kësaj ndeshje do të tregojmë se përveç futbollit ne dimë të respektojmë kundërshtarin”, u shpreh De Biasi.

Por edhe trajneri serb Çurçiç dhe djemtë e tij duket se janë të vendosur. Pak orë pasi mbërritën në Tiranë, nën masa të rrepta sigurie, ata u shprehën të gatshëm të luanin dhe lanë mënjanë çdo aspekt tjetër të ndeshjes, sidomos atë të sigurisë.

“Do mundohemi që të mos mendojmë për asgjë tjetër, por vetëm për futboll. Ka qenë shumë e thjeshtë për mua të motivoj lojtarët për këtë ndeshje, madje më e thjeshtë se në ndeshjen me Armeninë që luajtëm pa tifozë. Megjithatë kemi shumë respekt për Shqipërinë, pasi nuk është rastësisht aty ku është. Sa i përket formacionit, gjithçka e kam vendosur dhe nuk kam asnjë dilemë”, u shpreh Çurçiç.

Për sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes është kujdesur posaçërisht Drejtoria e Policisë së Elbasanit, e cila ka marrë një sërë masash organizative.

Në kuadër të këtyre masave që prej orës 8 të mëngjesit të sotëm është ndaluar qarkullimi rrugor tek bulevardet “Qemal Stafa” dhe “Aqif Pasha”, si dhe në aksin rrugor nga ish-Konservimi i vjetër deri tek Harullajt.

Gjithashtu, gjatë ditës nuk do të lejohet parkimi i automjeteve nga rrethrrotullimi i Luleve deri tek ai i Zaranikës; përreth dhe përballë stadiumit; si dhe përgjatë dy bulevardeve kryesore.

Hyrja e tifozëve në stadium do të fillojë në orën 16:30, me qëllim shmangien e radhëve të gjata. Ata do të kontrollohen të gjithë në hyrjen e stadiumit dhe duhet të jenë të pajisur me kartën e identitetit dhe të mos kenë me vete sende të forta, shishe, monedha apo metale. Lidhur me ndeshjen janë angazhuar 1.500 punonjës policie, nga të cilët 308 nga Drejtoria e Elbasanit.

Gjithashtu, të gjitha lokalet në zonat e sipërpërmendura do të jenë të mbyllura nga ora 12:00 deri në përfundim të ndeshjes, ndërsa në pallatet përreth nuk do të lejohen persona që nuk janë anëtarë të familjeve që jetojnë në to.

/ Top Channel