Në Prishtinë po e paguajnë naftën me para të falsifikuara

E publikuar: 22/09/2018 13:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tri raste të deponimit-pagesës me para false janë raportuar dje në policinë e Kosovës në Regjionin e Prishtinë.
Rasti i parë siç njofton policia ka ndodhur në rrugën “Nënë Tereza” Fushë Kosovë, ku një person ka deponuar një kartëmonedhë prej 500 €, e cila sipas aparatit të identifikimit ka rezultuar e falsifikuar.

“Ankuesja zyrtare në një banke, ka raportuar se një mashkull K/Shqiptar, ka deponuar një kartëmonedhë prej 500 €, e cila sipas aparatit të identifikimit ka rezultuar e falsifikuar. Njësiti Policor ka konfiskuar monedhën e dyshuar, rasti nën hetim”, njofton Policia.

Rasti i dytë sipas policisë ka ndodhur në rrugën ”Enver Maloku” në Prishtinë, ku një person ka deponuar një kartëmonedhë prej 200 €, e cila sipas aparatit të identifikimit ka rezultuar e falsifikuar.

“Zyrtarja në një banke, ka njoftuar se një mashkull K/Shqiptar, ka deponuar një kartëmonedhë prej 200 €, e cila sipas aparatit të identifikimit ka rezultuar e falsifikuar”, bën të ditur policia.

Siç njofton policia rasti i tretë është raportuar se ka ndodhur në rrugën ”Lidhja e Pejës”, në Prishtinë në një pikë të karburantit.

“Punëtori në një pompë të derivateve, ka raportuar se një mashkull i panjohur me veturën e llojit “Hyndai” me targa vendore, ka paguar me një kartëmonedhë prej 500 €, e cila sipas aparatit të identifikimit ka rezultuar e falsifikuar”, ka njoftuar policia, e cila ka konfiskuar paratë e falsifikuara dhe rasti është nën hetime, derisa nuk raportohet për të arrestuar.