Në prioritetet e vitit 2019 mungojnë liberalizimi i vizave dhe INTERPOL-i

E publikuar: 02/01/2019 07:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe përparimet në procesin integrues evropian, theksohen si prioritete të politikës së Kosovës për vitin 2019. Krahas këtyre prioriteteve, si qëllim më vete shihet edhe përmbyllja e procesit të bisedimeve me Serbinë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se angazhimi i Qeverisë së Kosovës gjatë vitit 2019 do të jetë i fokusuar në prioritet dhe synime të cilat në vitin 2018 nuk kanë arritur të realizohen.

“Angazhimi ynë do të jetë në drejtim të intensifikimit në zhvillimit ekonomik të vendit, avancimin e integrimeve evropiane, konsolidimi i mëtutjeshëm i shtetësisë dhe rritja e mirëqenies, si reformat tona të brendshme që kanë qëllim rritjen e mirëqenies së qytetarit. Këto duhet të jenë disa nga objektivat tona”, tha Limaj.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partive politike opozitare thonë se prioritet duhet të jenë zgjedhjet dhe formimi i institucioneve të reja, që sipas opozitës, do të garantonte legjitimitetin në qeverisje.

Ismet Beqiti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se fillimisht duhet të formohen institucionet e reja të cilat më pastaj do të kishin si prioritet zhvillimin e vendit në aspektin ekonomik.

“Prioriteti kryesor dhe nevoja kryesore e Kosovës dhe qytetarëve tanë ka qenë pikërisht krijimi i institucioneve stabile dhe të besueshme. Kjo nënkupton se prioritet për vendin do të duhej të jenë institucionet të reja. Institucionet e reja me legjitimitet dhe pastaj sikur edhe me herët që kemi ofruar mundësinë të punohet e bisedohet me të gjithë ata që ja duan të mirën vendit”.

“Temat e mëdha duhet të jenë, zhvillimi ekonomik dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsioni, pra sundimi i ligjit. Normal të punohet shumë edhe për liberalizimin e vizave, por të mos jepen data “, tha Beqiri.

Nga ana tjetër, analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se qeveritë në Kosovë kanë krijuar tashmë një rutinë pune dhe nga viti në vit i bartin prioritetet, duke mos arritur që t’i realizojnë ato. Mushkolaj thotë se sfidat dhe problemet në Kosovë vazhdojnë të jenë të mëdha.

“Marr parasysh që problemet në Kosovës janë të shumta, natyrisht që edhe prioritetet janë të shumta ose planifikohen të jenë të shumta për t’u zgjidhur. Por, kështu nuk ndodh zakonisht. Zhvillimi ekonomik mbetet prioriteti kryesor për të cilin institucionet e vendit nuk kanë bërë sa duhet ose kanë bërë shumë pak në vazhdimësi. Në ndërkohë, nuk kemi parë përparime të dukshme as në fushat e tjera të rëndësishme, siç është ulja e papunësisë dhe zhvillimi i sektorit të arsimit dhe përmirësimi i kushteve në shëndetësi”, thotë Mushkolaj.

Mushkolaj konsideron se Institucionet e Kosovës duhet të merren më shumë me gjendjen e politikës së jashtme.

“Institucionet nuk duhet t’i harrojnë as prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të Kosovë, në kuptimin e subjektivitetit ndërkombëtar, e këtu hynë edhe përmbushja e obligimeve që dalin nga agjenda evropiane e natyrisht edhe çështjet e tjera që lidhen me përfaqësimin dhe forcimin sa më të madh të Kosovës në botë”, tha Mushkolaj.

Në fillim të vitit 2018, Qeveria e Kosovës kishte paraqitur programin e saj qeverisës, ku si prioritet kryesor kishte vënë zhvillimin ekonomik.

Ndërkaq, si tri qëllime kryesore për vitin 2018, kishte anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, liberalizimin e vizave dhe formimin e Ushtrisë së Kosovës.