Në Podgoricë protestë anti-NATO me thirrjet “Kosova është zemra e Serbisë”

E publikuar: 12/12/2015 21:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Podgoricë është zhvilluar një protestë nga Fronti Demokratik kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Tubimi ka nisur para Kuvendit të Malit të Zi, prej ku protestuesit janë nisur të qetë deri tek monumenti i Shën Pjetrit.

Portali “Vijesti” i Malit të Zi ka raportuar se protestuesit kanë ndezur dhjetë pishtarë dhe kanë thirrur “Nuk e japim Kosovën” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”. Në tubim ndërkaq nuk është parë askund flamuri i Malit të Zi, por është parë një pllakat me mbishkrimin “NATO është organizatë satanike”, transmeton Koha.net.

Një pjesë e të tubuarve kanë kënduar edhe “Himnin e heronjve të Kosovës”, këngë patriotike serbe.

“TV Vijesti” ka thënë se sipas organizatorit, në tubim kanë marrë pjesë rreth 5 mijë protestues, ndërsa vet gazetari ka thënë se nuk kanë qenë mbi 1.500.

Organizatorët, veç banerit që e shpallnin NATO-n organizatë satanike, kanë thirrur edhe “Rusia, Rusia”, “Putin, Putin”…

Si pasojë e protestës, raportohet se janë shtuar forcat e sigurisë para Ambasadës Amerikane në Podgoricë, sikurse që edhe para Ambasadës së Shqipërisë që janë duke qëndruar së paku shtatë policë të armatosur.