Në mesnatë nis heshtja për zgjedhjet presidenciale

E publikuar: 19/04/2019 16:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të premten në mesnatë në Maqedoninë e Veriut mbyllet fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen, të dielën më 21 prill. Partitë politike kanë zhvilluar tubimet e fundit për prezantimin e kandidatëve dhe programet e tyre para elektoratit.

Për postin e kreut të shtetit garojnë tre kandidatë, Blerim Reka, kandidat i Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, dy parti këto në opozitë, Stevo Pendarovski, kandidat i LSDM-së që mbështet edhe nga 30 parti tjera përfshirë edhe BDI-në e Ali Ahmetit, dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e VMRO DPMNE-së opozitare.

Gjatë 20 ditëve sa ka zgjatur fushata, liderët e partive politike që përfaqësojnë tre kandidatët në garën për zëvendësimin e kreut aktual, Gjorge Ivanov, kanë zhvilluar fushatë kryesisht korrekte e të qetë, por me akuza e kundërakuza mes tyre për çështjet që kanë trajtuar, zhvillimet politike ku ka dominuar Marrëveshja me Greqinë për emrin, integrimi, raportet ndëretnike, lufta kundër krimit e korrupsionit, aspektet ekonomike e çështje tjera.

“Më 21 prill e më pas më 5 maj, do të fitojë Maqedonia dhe kuptohet se fundi do t’i vijë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Përfundimisht do ta largojmë të keqen, do të largojmë ata që dhunuan, poshtëruan, tradhtuan interesat kombëtare”.

“Në Maqedoni po vjen liria, po ngadhënjen drejtësia, do të përmirësojnë të gjitha të këqijat që i bënë popullit. Thonë se kanë bërë reforma. Por, reformën e vetme dhe më të dhimbshme që e kanë bërë është identiteti jonë, kanë hequr dorë nga identiteti, emri e gjuha. Por fundi po u vjen, drejtësi do të ketë”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski në tubimin e fundit të kandidates Gordana Siljanovska.

Partitë në pushtet në tubimet me elektoratin janë përqendruar në shumë çështje, përfshirë edhe mbështetjen e kandidaturës së Stevo Pendarovskit nga më shumë bashkësi etnike.

“Për herë të parë në historinë e shtetit tonë pas një kandidati për president qysh në rrethin e parë zgjedhor radhiten parti të ndryshme dhe qytetarë, të cilët kapërcyen veten e tyre dhe vendosën që këtë ta bëjnë për shtetin tonë që të ecë para drejt zhvillimit, mirëqenies dhe integrimit evropian”.

“Maqedonia si asnjëherë më parë ka perspektivë, ka të ardhme që nuk kontestohet nga askush. Tani është momenti që kjo rrugë të vërtetohet në zgjedhjet e 21 prillit dhe në rrethin e dytë pas dy javësh. Qytetarët presin të ardhme dhe ne këtë ua garantojmë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, njëherësh kryetar i LSDM-së.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se më 21 prill qytetarët duhet të votojnë konceptin e ri në shtet, një kandidat të dakorduar mes një partie maqedonase dhe një shqiptare, e që ka mbështetjen edhe të komuniteteve tjera.

“Shoqërinë duhet ta çojmë në atë drejtim ku do të gjejmë ura komunikimi, ku i bashkon interesi. Të ndërtojmë vlera në këtë vend. Ne merremi si model në Evropë dhe vende tjerë të botës, si model për të mirë, andaj më 21 prill ju ftoj që të votojmë për koncept, për një filozofi të re që shqiptarët i lartëson dhe ne duhet të investojmë sot për të korrur rezultate në vitin që vjen”, ka deklaruar Ahmeti.

Opozita shqiptare nëpër tubimet me elektoratin ka thënë se edhe ajo është për koncept, por që ka për qëllim faktorizimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Edhe ne për koncept jemi, por koncepti i lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët për të përkrahur profesor Rekën, është koncept i njëmendët, që ka të bëjë me ruajtjen e fuqisë së shqiptarëve këtu në Maqedoni. Natyrisht se ky koncept ka të bëjë me ruajtjen e autonomisë shqiptare këtu në Maqedoni dhe ne më 21 prill për herë të parë do t’ia dalim që të dalin fitimtarë në rrethin e dytë, sepse jemi popull autokton. Hajde ta dëshmojmë këtë më 21 prill”, ka deklaruar Sela.

Të drejtë vote në zgjedhjet e 21 prillit kanë rreth 1.8 milion qytetarë. Zgjedhjet zhvillohen në dy rreth zgjedhore asnjëri nga kandidatët nuk fiton në rreth e parë mbi 50 për qind të votave nga numri i përgjithshëm votues, apo rreth 900 mijë prej tyre.

Rrethi i dytë zhvillohet më 5 maj mes dy kandidatëve me më shumë vota dhe fitues shpallet ai që merr më shumë vota me kusht që në votime të dalim më shumë se 40 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.