Në Maqedoninë e V. nis imunizimi me 200 mijë vaksinat nga Kina

E publikuar: 04/05/2021 16:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Maqedoninë e Veriut të martën ka nisur vaksinimi masiv i popullatës me rreth 200 mijë vaksinat e kompanisë kineze, Sinopharm, si dhe me rreth 5 mijë të tjera të kompanive Pfizer/BioNTech, që pritet të arrijnë po të martën, si pjesë e një donacioni që Bashkimi Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Vaksinimi po zhvillohet në gjashtë qytete, të cilat mbulojnë gjithë territorin e vendit, ndërsa përfshin personat që janë paraqitur në aplikacionin për vaksinim të Ministrisë së Shëndetësisë. Janë rreth 230 mijë qytetarë të moshave të ndryshme që kanë shprehur interes për vaksinim, ndërsa në këtë fazë do të përfshihen edhe gazetarët e grupit të dytë si dhe punonjës të tjerë të institucioneve shtetërore, përfshirë edhe anëtarët e kabinetit të qeverisë së kryeministrit, Zoran Zaev.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka siguruar qytetarët se vaksina kineze, Sinopharm është e sigurt dhe se nuk duhet të kenë dyshime mbi efikasitetin e saj apo pasojat mbi shëndetin e tyre.

“Kjo vaksinë gjithsesi se është efikase, e sigurt dhe kjo do të dëshmohet në periudhën që kemi para nesh me vaksinimin e popullatës. Është e vërtetë se kjo vaksinë nuk është pranuar nga OBSH-ja apo Agjencia Evropiane e Barnave, por kjo nuk është bërë sepse vet prodhuesi nuk ka aplikuar për t’u certifikuar dhe mund edhe të mos aplikojë, por vaksina është e sigurt dhe për këtë flet fakti se shumë shtetet në Amerikën Jugore, në Azi, Afrikë e vende tjera e përdorin atë”, ka deklaruar Filipçe, duke paralajmëruar se gjatë muajit maj, në Maqedoninë e Veriut pritet të arrijnë rreth 600 mijë vaksina, shumica prej tyre do të jenë të prodhuesve kinezë.

Qytetarët që të martën, më 4 maj, prisnin në radhë për t’u vaksinuar, thanë se besojnë në sigurinë e vaksinave, por edhe në përmirësimin e gjendjes epidemiologjike pas marrjes së vaksinës.

“Besoj se virusi do të humbë fuqinë dhe do të kemi numër më të vogël të të infektuarve. Unë do të marr vaksinën pasi mendoj se nuk kemi ndonjë alternativë tjetër për të lëvizur më lirshëm dhe për t’u kthyer në gjendjen normale. Normalisht se ka dhe njerëz që druajnë apo hezitojnë, por derisa institucionet japin garanci, ne s’duhet të refuzojmë marrjen e saj”, thotë Nadica Stojkova, punonjëse në një biznes të gastronomisë.

“Pres që gjendja të përmirësohet, të marrim frymë më lehtë, t’i kthehemi përditshmërisë ashtu siç ishte para një viti”, thotë Pande Mojsovski, pensionist.

Ndërkaq, Sonja Petkovska, që punon si shitëse në një dyqan ushqimor, thotë se pret që vaksinimi i popullatës të ndihmojë në mposhtjen e pandemisë.

“Unë nuk pres se shumë shpejt do të kthehemi në gjendjen normale. Vaksinimi do të ndihmojë, por duhet ende kohë që të kalojmë këtë të keqe. Unë do të vaksinohem dhe këtë duhet ta bëjnë edhe të tjerët, pasi çdo hezitim apo vonesë në imunizimin e popullatës do të thotë edhe zgjatje e pandemisë”, thotë Petkovska.

Deri tani në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar rreth 62 mijë persona, numër ky që është larg pritjeve të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila disa herë kishte premtuar sigurimin deri në fund të muajit prill të më shumë se 500 mijë dozave të vaksinës dhe vaksinimin e mbi 10 mijë personave në bazë ditore.

Maqedonia e Veriut deri më tani kishte numër të lartë të të infektuarve dhe viktimave, por një raport i Institutit të Shëndetit Publik, ka thënë se javën e fundit numri i të infektuarve është ulur për 39.7 për qind, ndërsa i vdekjeve për 20.9 për qind.

Deri më tani me COVID-19 janë diagnostikuar mbi 152 mijë persona, raste aktive janë rreth 13 mijë, ndërsa 4.961 veta e kanë humbur jetën.