Në Maqedoni shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

E publikuar: 22/11/2018 16:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, 22 Nëntori, në Maqedoni është festë shtetërore për shqiptarët, ndërkaq gjuha shqipe në Kushtetutën e Maqedonisë është definuar si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullsisë në vend.

Nga ana tjetër, Ligji i gjuhëve, në bazë të të cilit parashihet zgjerimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet e pushtit vendor dhe atij qendror, tetë muaj pas miratimit akoma nuk arrin të hyjë në fuqi pasi i njëjti mbetet i bllokuar për shkak të mosdekretimit nga ana e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, edhe pse i njëjti dy herë mori vizë nga Parlamenti.

Në manifestimet e shumta organizuar me rastin e shënimit të festës së alfabetit nën ombrellën e dikasterit të Euro-integrimeve në Maqedoni, krahas zyrtarëve të lartë të vendit, marrin pjesë dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dhe ai Kosovës Hashim Thaçi.

Shpëtim Pollozhani, nga Forumi i Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni,që përfaqëson njëherësh dhe ish të burgosurit politik shqiptarë, për Radion Evropa e Lirë thotë se autoritetet e shtetit shqiptar duhet t’i kushtojnë më shumë kujdes Manastirit si qytet, shqiptarëve që janë në pozitë tejet të palakmueshme në këtë qytet dhe veçanërisht ndërtesës muze të Alfabetit , e cila nuk gëzon statusin e merituar juridik.

“Është turp që presidenti i Shqipërisë vjen dy herë brenda një muaji në Maqedoni, realizon vizita private te miqtë e vet të biznesit dhe nuk vepron në përputhje me nenin tetë të Kushtetutës së Shqipërisë që e obligon shtetin shqiptar me tre pika, një që të kujdeset për shqiptarët jashtë atdheut, dy t’i mbrojë shqiptarët jashtë Shqipërisë dhe e treta të ndihmojë në aktivet e tyre kulturore, ekonomike , sociale etj”.

“Është për të ardhur shumë turp që dy shtete shqiptare (Shqipëria dhe Kosova) për më shumë se 20 vite nuk e blenë objektin e shtëpisë së Alfabetit në Manastir- kjo flet shumë për nivelin se në çfarë gjendje është politika shqiptare. Kjo gjendje është si rezultat i një klase të kapur politike , i një klase politike jo kompetente dhe të pa arrirë”, thotë Pollozhani.

Nebi Dervishi, ligjërues në departamentin e Historisë në kuadër të Universiteti të Tetovës për Radion Evropa e Lirë thotë se politikë- bërësit shqiptarë për të qenë në vijë me idealin të pjesëmarrësve në Kongresin e Manastirit, 110 vjet më parë të shumë figurave të shquara të jetës kulturore e politike mbarë shqiptare duhet që gjuhës shqipe t’i japin vendin e merituar në preambulën e Kushtetutës së shtetit të Maqedonisë, ngase siç thotë Dervishi, shqiptarët këtu kanë kontribuar në ngritjen e themeleve të shtetit të Maqedonisë si shtet.

“Përveç aspektit gjuhësor, Kongresi i Manastirit ka dhe dimensionin historik të unifikimit të shqiptarëve. Politikanët shqiptarë që marrin pjesë në Qeverinë e Maqedonisë duhet të jenë më këmbëngulës të insistojnë me ngulm, të figurojë si gjuhë shqipe edhe në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë përkatësisht të hiqet ai 20 përqindëshi, pra ai term duhet zëvendësuar me termin gjuha shqipe si gjuhë zyrtare që përdoret në tërë territorin e Maqedonisë. Në këtë formë, politikanët e Maqedonisë do të jenë në vijë të njëjtë me idealin e kongresistëve të Manastirit”, konsideron historiani Dervishi.

Ndërkaq, Dervish Halimi, ligjërues në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Tetovës për Radion Evropa e Lirë thotë se lë shumë për të dëshiruar përdorimi i drejtë i gjuhës standarde shqipe në institucionet e shtetit.

Ai thekson se pikërisht mosjetësimi i Ligjit të gjuhëve që u mundëson shqiptarëve të t’u drejtohen në shqip edhe në atë masë të kufizuar bën që shqipja të mos përdoret drejt.

“Gjuha nuk paraqet vetëm dialektin, por është një organizëm i gjallë që duhet vazhdimisht të përcillet drejt në mjetet e informimit, në institucionet e shtetit. Kontakti i përditshëm me gjuhën standarde shqipe e përmirëson e cilësinë.

Kontakti , komunikimi është shumë i rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë sa i përket gjuhës standarde shqipe, por në një situatë kur shqipja përdoret vetëm në shtëpi si e folur në dialekt dhe mungon komunikimi me institucionet, për pasojë ka gabimet e shumta”, vlerëson Halimi.

Ndryshe, në kuadër të Kongresit të Manastirit, i cili u zhvillua prej 14 deri 22 nëntorit të vitit 1908 morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata, me ç`rast u morë vendim që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe.

Aktualisht, në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, objekt ky që përballet me problemet e pronësisë, gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente që i përkasin Kongresit të Manastirit mbajtur para 110 vjetësh, dokumente këto të ekspozuara në formë digjitale dhe në letër.