Në lëkurën e Isa Mustafës!

E publikuar: 16/08/2015 21:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Adrian Çollaku

Ishte java, ndër më të vështirat prej se kam ardhur në postin e Kryeministrit.

Ngatërrimi me Partinë Demokratike të Kosovës.

Problemi më vështirë i tejkalushëm, dhe i cili u shkaktua nga njeri im më i besueshëm, Avdullah Hoti, që u ngut me disa vendime, pos që i preku disa njerëz të PDK-së, u ngatërrua edhe me disa biznese të tyre. Iu kam thënë me pas kujdes?!

Për zhurmën e medieve dhe të analistëve e të shoqërisë civile kush e ka gajlen. Edhe Hashimi nuk mërzitej shumë për ta.

Si ta tejkaloj krizën me PDK-në?

Paskemi zgjidhje. Hashim Thaçi do të jetë president i Kosovës më 2016.

Me gjasë do të qetësohen? Mirëpo, nëse vazhdon presioni shumë i madh prej tyre, njëjtë sikurse Kujtim Shalës, edhe Avdullah Hotit duhet me ia “ngreh” veshin, sepse ndryshe rrezikojmë që të prishim koalicionin me ta, dhe të mbesim pa punë.

Kjo s’bën në asnjë mënyrë të ndodh, sepse edhe në parti nuk i kemi punët mirë, sidomos në këto momente. Në zgjedhje, nuk bënë në asnjë mënyrë të shkojmë, se sondazhet ndërkombëtare që m’i treguan ata të huajt, para disa javësh, na kishin qitë shumë keq.

Ia bëjmë bash qysh të dojnë PDK-ja.

Me rëndësi me i ruajt pozitat që i kemi, ngase na mbesin pa punë shumë njerëz të partisë nëse prishemi me PDK-në. Disa i humbin edhe tenderët, sa kanë nis me u kthjell kapak.

Plus këta e kontrollojnë edhe policinë e drejtësinë, mund të na bëjnë telashe…

Më mirë është të heshtim e të rrimë urtë…, sepse edhe ashtu e dinë të gjithë se sa kemi fuqi.

Në fund të fundit, ata më kanë bërë kryeministër, e jo këta të mitë.

Temat tjera nuk janë edhe shumë me rëndësi.

Ushtria e Kosovës edhe nëse nuk bëhet në mandatin tim nuk ka shumë rëndësi. Nuk ka mundur ta bëjë as Hashim Thaçi, e lëre më unë. As për emrin që kam premtuar gjatë zgjedhjeve- FARK, nuk ka shumë rëndësi, se nëse e përmendi tash si shef i qeverisë, prapë me dalin telashe me këta të Hashim Thaçit. Pse me rreziku pa nevojë? Kështu po mendojnë edhe këta bashkëpunëtorët e mi.

Do të kërkoj edhe publikisht nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjnë presion tek Beogradi për FAK-un. Ose do të mundohem që ta kushtëzojmë, nëse pajtohet edhe Hashimi me Asociacionin e Komunave Serbe, në mënyrë që të kalojnë në një pako.

Nëse e arrijmë këtë, atëherë do të mundemi që në njërën anë ta godasim Vetëvendosjen me formimin e Ushtrisë, duke e proklamuar si sukses të qeverisë në opinion, dhe nën dy, Asociacioni i Komunave Serbe, do të arsyetohet, si kusht i vetëm që t’i kemi Forcat e Armatosura.

Mirëpo, nëse këtë nuk mund ta bëjmë, do të na dalin telashe shumë të mëdha me Vetëvendosjen, të cilët duket se e kanë pa përnime.

E kemi një shpresë të mirë, për të shpëtuar nga protestat, si ato të janarit.

Gjykata Speciale duhet të formohet sa më shpejt, dhe vëmendja të përqendrohet andej, dhe opinioni të merret shumë më pak me ne, e sidomos me Asociacionin apo me dështimet tjera.

Me gjasë, partitë tjera do të dobësohen nga kjo Gjykatë. Arrestimet dihet se cilat parti i prekin dhe nëse shkohet në zgjedhje, do ta shfrytëzoj pozitën që e kam dhe LDK-në ta forcoj.

Mirëpo, pos Agimit (Veliut) nuk ia kam treguar askujt këtë strategji, sepse mund ta marrë vesh PDK-ja, e pastaj ata do ta çojnë vendin në zgjedhje, apo do ta zvarrisin miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për funksionalizimin e Gjykatës Speciale.

Ka rrezik të na bëjnë sikurse me votimin e parë në Kuvend, ku Hashimi na bëri të qartë të gjithëve se ai vendos për vendimet “historike”.

Vjosa, Arbeni e do të tjerë që u rebeluan do të jenë pishman, pos që do t’u hakmerrem kudo që mundem, nuk do t’i fus me gjasë as në listat zgjedhore.

Mirëpo, ende është herët të mendoj për ato punë. Njëherë duhet ta bindim Hashim Thaçin e PDK-në se ai do të jetë president, dhe se më nuk do t’ua prekim asnjë njeri.

Edhe nëse na shajnë disa medie, kush mërzitet për ta. Me rëndësi ne me qenë në punë, e mos me mbet rrugëve.

P. S. Frymëzuar nga zhvillimet e fundit ndërmjet koalicionit PDK- LDK dhe statusi i kryeministrit Mustafa në Facebook.