Në krye të Telekom Albania vihet një bullgar

E publikuar: 09/05/2019 18:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas ndryshimit të pronësisë te grupi i investitorëve bullgaro shqiptare, Kompania Telekom Albania ka njoftuar drejtuesit e rinj.

Kompania do të drejtohet nga zoti Emil Georgakiev, në pozicionin e Drejtorit Ekzekutiv të Telekom Albania. Ai vjen me përvojë dhe njohuri të gjera në sektorin e telekomunikacionit, duke qenë prej më shumë se dhjetë vitesh pjesë e ekipit drejtues të kompanisë bullgare të telekomunikacionit Vivacom.

Pronësia e kompanisë është transferuar plotësisht nga Grupi OTE (Pjesë e Grupit Deutsche Telekom) tek Albania Telecom Invest (“ATI”), e cila përfaqëson një grup investitorësh të njohur. ATI drejtohet nga Z. Spas Roussev, aksioneri kryesor i Vivacom, operatorit më të madh të pavarur të telekomunikacionit në Europën Juglindore, si edhe nga Z. Elvin Guri, investitor shqiptaro-bullgar.

“Ne vlerësojmë dhe çmojmë atë çfarë Telekom Albania ka arritur ndër vite, duke i paraprirë zhvillimit të telefonisë së lëvizshme dhe teknologjisë në vend”, deklaron Z. Spas Russev. “Ndërkohë, ne jemi të vendosur, – vijon ai, – të bëjmë investime të konsiderueshme, në mënyrë që Telekom Albania të bëhet operatori kryesor në Shqipëri dhe një prej kompanive më të suksesshme të telekomunikacionit në rajon”.

“Telekom Albania do të rrisë më tej angazhimin e saj për të sjellë në tregun shqiptar risi teknologjike të cilat do t’u shërbejnë individëve dhe bizneseve shqiptare”, u shpreh Z. Elvin Guri.

Sipas njoftimit për shtyp, kompania do të vazhdojë të ketë në fokus risitë teknologjike dhe do të vazhdojë gjithashtu të ruajë bashkëpunimin e mirë me të gjithë partnerët dhe furnitorët e saj. /Monitor