Në kërkim të paqes shqiptare

E publikuar: 25/03/2015 18:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

ZEQIRIJA IBRAHIMI
Ideja e autorit të këtij libri është se shqiptarët, duke qenë pjesëtarë të dy religjioneve (me nënndarjet e tyre), i ka mbajtur bashkë vetëm toleranca fetare, sepse një shkëndijë e vockël mund ta ndezë një zjarr të konfliktit ndërshqiptar me pasoja fatale
Kanë kaluar më shumë vite që nga vdekja e Arbër Xhaferit, që dikush të më sfidojë kaq shumë dhe, madje, më shumë se ai në temën e pranisë së shumësisë së religjioneve të shqiptarët. Derisa intelektuali i ndjerë i Maqedonisë e shprehte “plagën e shumësisë së religjioneve” te shqiptarët paksa me drojë dhe me gjuhë më të kujdesshme, pak për shkak të ambientit në të cilin shkruante, por edhe për arsye të pozitës së tij politike, Mustafa Nano është krejt i lirë të shprehet ashtu siç mendon pa e vrarë mendjen se kush çfarë mund të mendojë në lidhje me tezat e tij. Ai nuk ngurron të thotë se “nuk është dhuna që i ka bërë shqiptarët myslimanë”, që mund të mos u pëlqejë shumë historianëve e politikanëve shqiptarë, por nuk druan të thotë edhe se shqiptarët “nuk e vënë ujin në zjarr për fenë”. Flet pa drojë për shfarosjen e myslimanëve në Ballkan pas ikjes së osmanëve, një temë pak e zënë n’goje ndër ne, por kur flet për atdhetarët, ata i zbulon më shumë në elitën ortodokse shqiptare.

Kjo i bie të themi se para vetes kemi një vepër që flet pa tifozeri dhe pa i mbajtur anën asnjërës palë. Konstatimet e Nanos nuk janë kuturu dhe nuk janë që me to të mbrojë njërën ose palën tjetër, që t’i pëlqejë dikujt ose të përfitojë nga dikush. Dhe, kjo jo vetëm që duhet admiruar e përshëndetur, por duhet vlerësuar jashtëzakonisht shumë, sepse vetëm në saje të këtyre debateve intelektuale, të çliruara nga konformizmi e vetëcensurimi, mund të pretendojmë të ndërtojmë elita të mirëfillta intelektuale, të cilat do të jenë të denja për të prodhuar mendim dhe filozofi. Kjo aq më shumë vjen për t’u vlerësuar kur për këtë temë dhe për këtë vepër flitet në Shkup, ku nuk gjen mbase asnjë shqiptar që ka guximin të deklarohet se është ateist ose, së paku, jomysliman, ndonëse plot të tillë mund të njohim për nga veprat dhe qasja që kanë ata ndaj mësimeve fetare. Prandaj, jam i mendimit se sfida që na e krijon Mustafa Nano me këtë libër, na vjen në Shkup që ta trazojë intelektualin tonë që edhe ai të mendojë më thellë, më sinqerisht dhe më drejt në lidhje me temën e religjioneve te shqiptarët dhe të mos sillet sikur gjithçka është idilike ose si një fushë në të cilën ne nuk kemi çka flasim “se nuk jemi kompetentë”, siç e kanë zakon të thonë shumë intelektualë shqiptarë në Maqedoni. Qasja e këtillë, në fakt, i bie të kualifikohet si mungesë guximi, por edhe ikje nga problemet reale të shoqërisë shqiptare ose, thënë ndryshe, frikë nga përballja me një realitet që, kur merresh me të, e ka koston e vet. Ndërsa Mustafa Nano, megjithëse mund të gjykohet nga teologët, por edhe nga besimtarët e akëcilës fe, nuk e ka aspak drojë të flasë dhe të shkruajë publikisht se cili është mendimi i tij përkitazi me këtë temë. Andaj, edhe kur nuk pajtohesh me të, siç më ndodhte dikur shpesh edhe me tezat e Arbër Xhaferit, nuk mund të mos e admirosh për guximin intelektual dhe nuk ke si mos ta prezantosh si një intelektual të denjë shqiptar që duhet t’u shërbejë si model edhe elitave shqiptare të Maqedonisë, të tilla siç janë.

Ideja e autorit të këtij libri është se shqiptarët, duke qenë pjesëtarë të dy religjioneve (me nënndarjet e tyre), i ka mbajtur bashkë vetëm toleranca fetare, sepse një shkëndijë e vockël mund ta ndezë një zjarr të konfliktit ndërshqiptar me pasoja fatale. Ndërkaq këtë e argumenton me faktin se elitat shqiptare asnjëherë nuk kanë qenë shumë fanatike në aspekt të religjionit dhe kanë ditur të balancojnë e të mos bien në kurthe të cilësdo fe e ashtu ta dëmtojnë indin kombëtar shqiptar. Ai konsideron se shumësia religjioze e shqiptarëve (mendon në përkatësinë sunite, bektashiane, ortodokse, katolike dhe, së fundi, edhe protestante) nuk është një avantazh, porse një plagë. Kjo mund të interpretohet se shqiptarët kështu kanë një hendikep që i pengon ata të jenë komb monolit, homogjen dhe koheziv, elemente këto të detyrueshme për prosperitetin e një kombi.

Duke e lexuar librin, që duhet pranuar se është shkruar me një shqipe të lezetshme dhe leximi i tij shkon si hallvë, nuk ke si mos të parashtrosh një sërë pyetjesh, që domosdo secili mund t’i ketë menduar në vete ose mund t’i ketë ndërmendur, por pakkush si Mustafa Nano ka arritur që ato t’i sintetizojë në mendime kaq sfiduese. Kështu, pyetja kryesore që më përshkonte gjatë gjithë kohës derisa e lexoja librin, që herë të duket libër historie, herë publicistikë, e herë vështrim sociologjik, por edhe tekst i letrarizuar, ishte se a flet autori për teologjitë fetare apo për vetë fetë kur gjykon mbi to. Sepse, konsideroj unë, besimtarët shqiptarë sot adhurojnë interpretimet e religjioneve, që ua bëjnë klerikët e ndryshëm, pa arritur mbase ta njohin saktë thelbin e feve. Ngase, gjykoj unë përsëri, nëse do ta kishim kuptuar thelbin e feve, nuk do ta vinte rendi fare ta përdorim as termin “tolerancë ndërfetare” sepse fetë monoteiste, të cilave u përkasin shqiptarët, kanë parakushte të shkëlqyeshme për të bashkëjetuar mes vete në paqe, respekt e dashuri, e jo për t’u toleruar “ngase nuk kanë mundësi ta mposhtin tjetrën”. Toleranca është term politik, ndërsa religjionet, të cilat u përkasin shqiptarët kanë aq shumë shembuj të dashurisë dhe respektit të ndërsjellë, që mund të ndjehen të ofenduara nëse i gjykojmë si jodashmirëse për religjionin tjetër. Ndër pyetjet e tjera, që detyrimisht ia shtrova vetes gjatë leximit të këtij libri, janë edhe këto: a kanë krijuar shqiptarët teologji shqiptare për cilëndo fe apo a kanë shtetet shqiptare agjendë për shumësinë e religjioneve dhe të interpretimeve të religjioneve nëpër këto shtete?; nëse jo, cilat janë arsyet?; cili eshtë tipi i Islamit ndër shqiptarët?; pse myslimanët shqiptarë ndjehen disi të detyruar ta mbrojnë edhe Perandorinë Osmane si formacion juridiko-politik?; a ishin disa shqiptarë myslimanë kundër alfabetit latin, sepse atë, përveç tjerash, e nxiste Shoqëria Biblike që të mund ta shtypte Biblën në gjuhën shqipe?; sa është naive apo objektive thirrja për “kthimin në fenë e të parëve” (Kadare etj.), kjo për arsye se, nëse feja bie në sferën e privates, kush ka të drejtë t’ia cenojë tjetrit të drejtën e asaj që ai beson?; a janë të vetmit shqiptarët “laramanë” (kriptokristianë), që festojë edhe Pashkët edhe Bajramin dhe, nëse po, a është kjo veti e gjithmbarshme shqiptare apo e kufizuar në zona të caktuara?; nëse martesat e përziera janë dëshmi se shqiptarët nuk çajnë kokë për fenë, a është ky një tipar gjithëshqiptar apo është i kufizuar?; cili ka qenë formimi teologjik i klerit/ylemasë mysliman(e) në kohën osmane, që e përligjte dashurinë ndaj shtetit osman, dhe cili është formimi teologjik i sotëm i këtij kleri, që i përligj format e interpretimit të sotëm të Islamit te shqiptarët?; po te katolikët e ortodoksët si është ky relacion?; cilat janë të drejtat fetare në shtetet dhe shoqëritë shqiptare sot?; a ka diskriminim në baza fetare edhe sot?; a kemi politizim të fesë dhe kujt i shërben ajo mënyrë e interpretimit të fesë etj. etj. Janë këto vetëm disa nga pyetjet që i provokon ky libër, ndërsa përgjigjet për to, natyrisht jo të gjitha, gjenden edhe brenda këtyre dy kopertinave – ndonëse mund të mos pajtohesh me autorin e tyre.

Sidoqoftë, në korpusin e gjërave që i ka shtruar ky libër, të cilin e theksoj se do t’ia rekomandoja ta lexojë secili që ka interes për këto fenomene te shqiptarët, janë vetëm dy, për të cilat kujtoj se ia vlen të ndalemi veçmas.

E para është, gjithnjë sipas perceptimit tim, se ky libër ka ofruar një pasqyrë shumë reale të gjendjes së identitetit fetar të shqiptarëve, gjë që mund t’u shërbejë shteteve shqiptare, në këtë rast Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për ta menduar më seriozisht se cili do të ishte projekti i tyre për të ardhmen konceptit, por edhe fenomenit të feve, në shoqërinë shqiptare. Kujtoj se ka mjaft hapësirë që në shkollat fetare, por edhe nëpër faltore, të prodhohet një predikim dhe interpretim tjetërfare i feve, i cili gjithsesi do të kishte parasysh nënqiellin shqiptar, që në plan afatgjatë të mos na sjellë në drojën që e ka Mustafa Nano se mos po shpërthen një konflikt ndërfetar, porse të kemi një paqe të vërtetë religjioze të shqiptarëve në aspekt fetar, madje një respekt dhe dashuri mes komuniteteve të ndryshme fetare, natyrisht gjithnjë duke qenë të kujdesshëm që, duke u përqëndruar në largimin prej konfliktit shoqëror, të mos hyhet në konflikt me Zotin dhe të mos defetarizohet feja. Si njohës jo edhe i cekët i thelbit të këtyre religjioneve, jam i sigurt se ka plot mësime, mesazhe, historira dhe interpretime që shqiptarët e feve të ndryshme do t’i bënin jo vetëm të toleroheshin, por të respektoheshin dhe të krijonin dashuri mes vete. Mjafton të afirmohet fakti se Jezui e Muhamedi janë pasardhësit e bijve të Abrahamit ose Ibrahimit, njëri nga trungu i Ishakut e tjetri nga trungu i Ismailit, që të kultivohet fryma se të dyja këto religjione e kanë një baba të përbashkët dhe se janë manifestimet e interpretimet e ndryshme ato që i kanë bërë të dallohen, ndërsa thelbi i tyre ka qenë feja monoteiste e Babait të Monoteizmit. Natyrisht, brenda kësaj ka plot mësime që sot i predikon, fjala bie, interpretimi perenialist i feve, që sjell në atë që në këtë filozofi njihet si sofia perenis – urtësia e përjetshme, që manifestohet në forma të ndryshme, por që në thelb është e njëjtë për të gjitha religjionet monoteiste. Kjo do të thotë se nuk duhet ta afirmojmë joseriozitetin dhe shkujdesjen ndaj feve për ta shpëtuar kombin, por pikërisht të kundërtën – duke e afirmuar besimin dhe fenë në këso interpretimi, duke qenë më të devotshëm në këtë frymë të besimit, ashtu e shtojmë dashurinë për tjetrin, rrjedhimisht edhe për bashkëkombësin tonë shqiptar të besimit tjetër.

Ndërkaq çështja tjetër është se titulli i këtij libri mbase më i saktë do të ishte “Pax Albania”, sepse autori në jo pak raste, sigurisht për mungesë të informacionit, është i detyruar të bëjë interpretime të religjionit për shqiptarët, duke u bazuar vetëm nga ajo që sot paraqet Republikën e Shqipërisë, ngase ato konkluzione nuk mund të merren si të mirëqena për gjithë kombin. Fjala bie, përveç në Shqipërinë politike, martesat e përziera ndërmjet shqiptarëve janë dukuri e rrallë ose mungojnë fare te shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë. Ose, një shembull tjetër, shqiptarët e Maqedonisë deri para Luftës së Dytë Botërore edhe organizimin politik e arsimor e kanë pasur me shenjë religjioze, ashtu që ato kanë qenë të pandara. Fetfaja (verdikti fetar) e Ataullah efendi Kurtishit para Luftës së Dytë Botërore në Shkup, i cili – që ta ndaltë shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi – deklaroi se “Kush shpërngulet në Turqi është qafir (femohues i Islamit)!”, lirisht mund të konsiderohet si kushtrimi më patriotik që kishte ditur ta artikulojë dikush në kohën kur Mbretëria e Serbëve Kroatëve dhe Sllovenëve bënte kërdi me shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve. Ose, edhe partia e shqiptarëve të Maqedonisë po në atë kohë, ishte një parti myslimane, e quajtur “Xhemijet”, që në pamundësi të organizohej në baza etnike, zgjodhi rrugën e përfaqësimit religjioz, që ashtu t’i mbronte interesat shqiptare në Beograd. Këto dhe shumë argumente të tjera dëshmojnë se interpretimi i religjionit te shqiptarët nuk mund të bëhet duke i pasur para vetes vetëm rrethanat në Republikën e Shqipërisë dhe duke marrë ndonjë shembull tek-tuk këndej, pa i hyrë më thellë gjendjes së shqiptarëve në periferitë shqiptare.

Që të përfundoj, duke çmuar lart meritën e librit për debatin dhe parashtrimin e çështjeve, do t’i sjell tre shembuj për ta pasur të qartë se sa heterogjene është gjendja religjioze e shqiptarëve që të mund të përfshihet vetëm në një libër si ky. Së pari do ta sjell shembullin e shumë shqiptarëve të Maqedonisë, që kur filluan të shkojnë së pari herë në Shqipëri, nuk arrinin ta kuptonin se si kishte mundësi që një shqiptar të mbante kryq, të mos ishte mysliman, sepse në ndërdijen e shqiptarit të Maqedonisë të krishterë ishin vetëm maqedonasit. Shembulli i dytë është i lidhur me Kosovën, kur një plak në një ditë Ramazani po shkonte në xhami dhe i sheh në një kafene disa të rinj shqiptarë që pinin kafe. Dhe, kur plaku i qorton se si nuk kanë turp në ditë Ramazani të pinë kafe publikisht e ata ia sqarojnë se janë katolikë, plaku u përgjigjet “Ah lumët ju!”. Pavarësisht komikes në këtë rrëfim, për një plak të Kosovës (në Maqedoni aq më tepër) ka qenë e paimagjinueshme që në ditë të Ramazanit dikush të hajë e të pijë publikisht. Ndërkaq shembulli i fundit është tipik sipas librit të Mustafa Nanos. Shkoja njëherë nga Tirana në Prishtinë me një mik timin të Tiranës dhe rrugës bisedonim në këto tema. Dhe, ai më shpjegonte se një shok i tij ishte shumë mysliman i devotshëm. Nejse, më thoshte, e ka qejf edhe rakinë nga pak. Pas kësaj unë e pyeta, me shpoti, ashtu siç e kemi një shembull të këtillë edhe në librin e Nanos: “Po, mirë, ky shoku jot a është mysliman apo shka (te shqiptarët e Maqedonisë fjala “shka”, që vie nga skizma e madhe në Krishterim, përdoret për emërtuar të krishterët)?”, ndërsa ai, pa të keq dhe shumë seriozisht (pa ma rrokur shpotinë), m’u përgjigj: “Paj, si të ta them, pak mysliman e pak shka”. Për neve e paimagjinueshme kjo, por për mikun tim nga Tirana, si edhe për autorin e librit “Pax Albanica”, po ashtu nga Tirana, kjo është krejt normale.

Kjo është fjala që autori mbajti në takimin e Shkupit, në të cilin u përurua libri “Pax Albanica”

/Respublica.al