Në karantinë 140 udhëtarët e një aeroplani në Spanjë, pasi një udhëtar rezultoi se ishte i sëmurë me coronavirus

E publikuar: 30/05/2020 12:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Testimi i një udhëtari që doli me coronavirus, i ka detyruar autoritetet e sigurisë në Spanjë, që t’i dërgojnë në karantinë rreth 140 udhëtarë.

Ata po fluturonin me aeroplan nga Madridi për të Lanzarote të Ishujve Kanarie, ku nuk u lejuan që ta vazhdonin udhëtimin, transmeton Telegrafi.

Mësohet se testimi i ishte kryer atij udhëtari, derisa ishin në fluturim, pasi kishte simptoma të dukshme të virusit.

Tashmë kanë filluar hetimet, që të zbulohet se si u lejua të niste udhëtimin, si dhe nëse i ka plotësuar rregullat që i lejohet udhëtimi, si pjesë e të cilave iu lejohet vetëm atyre që kanë emergjenca apo iu duhet të udhëtojnë për punë.

Sipas raporteve të deritanishme, ai i ishte nënshtruar një testi për coronavirus, sepse kishte pasur më herët kontakt me një viktimë të kësaj sëmundjeje.

Megjithatë, ai ishte nisur për në udhëtim, para se të dilnin rezultatet, duke rrezikuar që të infektonte edhe njerëz të tjerë.

Mbi të rëndon akuza, për thyerjen e rregullave të karantinës dhe mos zbatim të distancës shoqërore, megjithëse e dinte se mund të ishte i sëmurë.