Në gjithë Prishtinën vetëm një mjek i mushkërive

E publikuar: 26/01/2016 08:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qytetarët e komunës së Prishtinës të cilët vuajnë nga sëmundja e mushkërive janë në hall të madh. Kjo ngase në komunën me numrin më të madh të banorëve në Kosovë me rreth 197 mijë banor, është vetëm një doktor i specializuar për sëmundjet e mushkërive (pulmolog).

E më të rëndë këtë situatë e bënë fakti se ai aktualisht është në pushim vjetor.

Drejtori në drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Arben Vitia e ka konfirmuar për Gazetën Fjala se komuna e Prishtinës është në mungesë të pulmologëve.

“Numri i pulmologëve në Prishtinë për momentin është 1(një). Është fakt se kemi nevojë për më shumë, marrë parasysh gjendjen epidemiologjike karshi një sëmundje si TBC dhe faktin se komuna e Prishtinës nuk ka shërbime shëndetësore sekondare”, ka thënë Vitia.

Ai ka theksuar se vitin e kaluar Komuna e Prishtinës ka hapur konkursin për Pulmolog, por i njëjti është anuluar pas rekomandimeve të MSH-së, sepse bie ndesh me legjislacionin në fuqi për shkak të konceptit të mjekësisë familjare.

“Me këtë rast ne kemi filluar një analizë dhe program të zhvillimit të vazhdueshëm profesional për mjekët familjarë në fusha të veçanta duke përfshirë edhe këtë fushë, ku mjekët familjarë do të edukoheshin mjaftueshëm për problemin në fjalë, në mënyrë që të ofrojnë shërbime profesionale për qytetarët në këtë fushë”, ka shtuar ai.

E derisa komuna dhe MSH të bëjë zgjidhje për pulomog, qytetarët e Prishtinës do të duhet ta vizitojnë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për ti kryer shërbimet. Kjo ngase në qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë mund të gjendet vetëm një doktor i mushkërive./Gazeta Fjala/