Në Gjinekologji vdes 27-vjeçarja, rasti në Prokurori

E publikuar: 07/03/2016 11:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ende nuk ka përfunduar raporti i Mjekësisë Ligjore që do të qartësojë vdekjen e mësueses 27-vjeçare nga Gjilani, e cila ndërroi jetë më 3 mars 2016, pak orë pasi lindi beben e saj në Spitalin e Gjilanit. Prokuroria po e cilëson vdekjen si të dyshimtë dhe po heton për neglizhencë mjekësore.

Ajo nuk ka arritur të shohë as edhe një herë fytyrën e foshnjës që solli në jetë. 27-vjeçarja nga Gjilani, ka ndërruar jetë vetëm pak orë pasi lindi beben e saj të gjinisë mashkull, në Spitalin e Gjinekologjisë në Gjilan.

Derisa ende nuk dihet shkaku i saktë i vdekjes së mësueses Arbenita Spahiu, Prokuroria në Gjilan këtë vdekje e ka cilësuar të dyshimtë, duke urdhëruar kryerjen e obduksionit.

Dyshimet e Prokurorisë janë se gruaja që lindi për herë të parë beben e saj në Spitalin Regjional në Gjilan më 3 mars 2016, ndërroi jetë si pasojë e një gjakderdhjeje që nuk u lokalizua edhe si rezultat i neglizhencës mjekësore.

Jetish Maloku, kryeprokuror i Prokurorisë në Gjilan, ka thënë për “Zërin” se Prokuroria bazuar në dyshimet fillestare ka urdhëruar kryerjen e obduksionit. /Zëri/