Në Gjilan shënohet dita botërore e Autizmit

E publikuar: 02/04/2015 14:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dita Botërore për Ndërgjegjësimin për Autizmin është shënuar sot edhe ne Gjilan me një aktivitet të organizuar Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë, në bashkëpunim me Këshilli i Veprimit Rinor Lokal.

Në këtë aktivitet për ndërgjegjësimin e qytetarëve për Autizmin ka marrë sot pjesë edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, e cila tha ndërgjegjësimi i qytetarëve për këtë kategori të shoqërisë është shumë i nevojshëm dhe i rëndësishëm.

“Në këtë ditë dua të rikonfirmoj zotimin e kryetarit Haziri për ndihmë me të gjitha kapacitetet komunal për këtë dhe të gjitha kategoritë e shoqërisë. Aktiviteti i sotshëm është shumë i rëndësishëm për ndërgjegjësimin e njerëzve për këtë kategori të shoqërisë, e cila ka nevojë për ndihmën tonë në të gjitha nivelet”, është shprehur kryesuesja Bunjaku Rexhepi.

Përfaqësues të KVRL-së në Gjilan kanë shpërndarë fletushka informuese për ndërgjegjësimin e qytetarëve lidhur me këtë sëmundje.

Ndryshe, Komuna e Gjilanit e udhëhequr nga Lutfi Haziri në këtë vit ka nënshkruar marrëveshje për subvencionimin e “Handikos”, Shoqatës së të Verbërve dhe Shurdhmemecëve, me pretendimin e përkujdesjes komunale edhe për shoqatat tjera, të cilat kujdesen për njerëzit me nevoja të veçanta.