Në Ganë, një person i infektoi 533 të tjerë me Covid-19 në një fabrikë

E publikuar: 11/05/2020 10:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Ganës, Nana Akufo-Addo, ka thënë se një punëtor i një fabrike për përpunimin e mishit të peshkut në qytetin Tema i ka infektuar me koronavirus 533 kolegë të vet.

“Të gjithë 533 personat u infektuan nga një person”, tha presidenti Akufo-Addo, pa dhënë hollësi për atë se si u përhap virusi në këtë fabrikë dhe nëse është marrë ndonjë masë sigurie.

Rastet e reja e çuan numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 4,700 persona. Kjo është shifra më e lartë që është shënuar deri më tani në ndonjë shtet të Afrikës Perëndimore.

Sipas deklaratës së presidentit, 22 persona kanë vdekur nga koronavirusi deri më tani në këtë shtet dhe 494 janë shëruar.

Me 160 mijë persona të testuar, presidenti i Ganës tha se vendi i tij është i pari në Afrikë për numër të të testuarve për një milion banorë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Ai njoftoi se ndalimi i tubimeve publike do të vazhdojë të mbetet në fuqi deri në fund të majit, ndërsa shkollat dhe universitetet do të qëndrojnë ende të mbyllura.