Në Forumin Ekonomik Kosovë-Shqipëri, më shumë se 100 kompani

E publikuar: 09/02/2017 13:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Forumi i përbashkët Ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë do të jetë paraprijësi i shumë aktiviteteve të përbashkëta ekonomike në mes të dyja vendeve, i cili do të forcojë bashkëpunimin e komuniteteve të bizneseve.
Kështu u tha në konferencën e përbashkët të OEK-ut dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, të cilët këtë ngjarje e vlerësuan të një rëndësie kombëtare, pasi sipas tyre kjo do të forcojë marrëdhëniet tregtare në mes të dyja vendeve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu tha se interesimi për pjesëmarrje në këtë forum ka qenë shumë i madh.

Ai ka thënë se mbi 100 kompani nga Kosova dhe Shqipëria do të jenë pjesë e forumit, me të vetmin qëllim, që të avancohet një komunikim i mirëfilltë në mes të bizneseve.

Gërxhaliu tha se nesër do të jetë dita ku komuniteti i biznesit do ta thotë fjalën e vet.

Ai tha se është koha kur ekonomia të jetë prioritet si në Kosovë edhe në Shqipëri.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Arben Shkodra , tha se për të dyja vendet sfida kryesore mbetet ndryshimi i perceptimit të konsumatorit, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se të dyja vendet me rajonin do të jenë konkurrente , ndërsa me njëri tjetrin komplementar.

Ndërsa i pyetur se si e kanë pritur institucionet e Shqipërisë një iniciativë të tillë dhe pse mendon se janë vonuar iniciativa të tilla, kryetari i Dhomës së Tregtisë në Tiranë, Arben Shkoza, tha se Institucionet e Shqipërisë janë më shumë se kurrë të interesuara për thellimin e bashkëpunimit, ndërsa iniciativën nuk e quan aspak të vonshme, pasi sipas tij, kjo po ndodh në një moment të duhur.