Në debatin në Mitrovicë, vlerësohen të arriturat trevjeçare të MSA

E publikuar: 18/04/2019 17:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

 Projekti “Mbështetja e Komunikimit të Procesit të Integrimit Evropian”, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në Kuvendin komunal të Mitrovicës, bashkë me Ministrinë e Integrimit Evropian, ka organizuar panel diskutimi me temën: Prodhimi vendor dhe tregu i BE-së!

Paneli i përbërë nga kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Valdet Gjinovci, drejtori i Shëndetit Publik në AUV, Flamur Kadriu, themeluesi i kompanisë “Pestova”, Bedri Kasumi dhe drejtori i Departamentit të Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Hysni Thaqi.

Ky panel diskutimi u mbajt me qëllim të informimit dhe vetëdijësimit të bujqve dhe prodhuesve të tjerë vendorë për rëndësinë që ka Marrëveshja e Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për rritje të cilësisë dhe përgatitje të prodhuesve vendorë për të eksportuar në tregun e BE-së. 

Në diskutim, u bënë të ditura të arriturat gjatë tri viteve të implementimit të MSA-së, si dhe sfidat e prodhuesve të Kosovës dhe prodhimi vendor. Po ashtu, u vlerësua lartë, përkushtimi i institucioneve të Kosovës për ta ngritur konkurrueshmërinë e kompanive vendore dhe rritjen e prodhimit vendor.

Z. Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv i AUVK i ka inkurajuar prodhuesit vendorë që në bashkëpunim me AUVK-un të punojnë më shumë në arritjen e standardeve të cilësisë që kërkohen nga Bashkimi Evropian.

“Kosova është bërë industri afirmuese përmes avancimit të prodhimeve vendore, duke i zëvendësuar produktet që vijnë nga jashtë. Industria e ushqimit në Kosovë është zhvilluar jashtëzakonisht shpejt falë granteve, dhe ndihmave në aspektin e ekspertizës institucionale dhe profesionalenga Bashkimi Evropian. Produktet të cilat prodhohen dhe përpunohen sot janë të konkurrueshme me ato të BE-së. Nga vizitat tek fermerët e shohim se ka një angazhim të palodhshëm të fermerëve, por që falë këtij angazhimi po arrijnë që të krijojnë një qëndrueshmëri ekonomike. Agjencia do të vazhdon t’i mbështesë të gjithë prodhuesit dhe përpunuesit e vet në drejtim të avancimit dhe ofrimit të këshillave profesionale që në të ardhmen të eksportojnë në BE”, është shprehur Gjinovci.

Z. Flamur Kadriu, Shef i Sektorit të shëndetit publik brenda AUV, vëmendje të veçantë i kushtoi gjurmueshmërisë dhe sigurisë së ushqimit, ku e rëndësisë së lartë mbetet përshkrimi i saktë i përmbajtjes të cilën duhet ta ketë çdo produkt ushqimor që konsumohet në vend, konform standardeve të BE-së.

Po ashtu, u bë informimi mbi zhvillimet për tri vitet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe sfidat e këtij procesi.​/Infosot/