Në Burim të Malishevës nis realizimi i dy projekteve

E publikuar: 13/08/2018 14:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në fshatin Burim të Malishevës kanë filluar të realizohen dy projekte me rëndësi për fshatin. Projekti i parë është ai i zgjerimit të rrjetit të kanalizimit dhe projekti i dytë është ndërtimi i fushës së futbollit në shkollën e fshatit.

Për këtë qëllim, sot nënkryetari i kësaj komune, Hajdin Berisha, i shoqëruar edhe nga drejtori i urbanizmit, Islam Vrenezi, kanë vizituar këtë fshat, për ti parë nga afër punimet në këto dy projekte, si dhe janë takuar me banorët.

“Zgjerimi i kanalizimit, përkatësisht ndërtimi i rrjetit të kanalizimit për një pjesë të fshatit të cilët deri më tani nuk kanë pasur qasje në rrjetin e kanalizimit, ka rëndësi jetike për banorët, pasi rrjetet e kanalizimeve sot janë një domosdoshmëri. Gjithashtu edhe ndërtimi i fushës së sportit, për nxënësit e shkollës, por edhe për të rinjtë e fshatit, gjithashtu ka rëndësi të madhe dhe ka qenë më se e nevojshme”, tha Berisha..

Nga ana tjetër, banorët e kësaj pjese të fshatit, janë shprehur të kënaqur me ndërtimin e rrjetit të kanalizimit, pasi zgjerimi me ndërtime të reja në lagje, ka bërë që sistemi i kanalizimit, të jetë i domosdoshëm, dhe për këtë arsye, banorët e falënderojnë Komunën, për investimin e bërë.

Ndërsa drejtori i urbanizmit, Islam Vrenezi, ka bërë të ditur se në këtë lagje, do të ndërtohen 1350 metra rrjet i kanalizimit, i cili mundëson kyçjen e lagjes, me pjesën tjetër të kanalizimit të fshatit dhe përfundimisht, zgjidhet problemi i ujërave të zeza në këtë lagje.

Ndërtimi i fushës së sportit për shkollën dhe ndërtimi i rrjetit të kanalizimit janë dy projekte për fshatin, që financohen nga buxheti i Komunës së Malishevës.