Në Britani, arrestohet 37-vjeçja që pajisi me 500 pasaporta grupet kriminale shqiptare

E publikuar: 19/03/2019 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një 37-vjeçare shqiptare është arrestuar nën dyshimin se ka ndihmuar grupe kriminele shqiptare që të pajisen me 500 pasaporta britanike.

Arrestimi i saj është bërë nga Agjencia Kombëtare e Krimit në kuadër të një operacioni që synonte identifikimin e një rrjeti kriminal që lehtësonte dhënien e shtetësisë dhe pasaportave britanike, si dhe pastrimin e parave për kriminelët.

Teksa emri i 37-vjeçares shqiptare nuk bëhet i ditur, mësohet se ajo jeton në Ilford.

Policia britanike beson se ky rrjet i ka ofruar shërbime kriminelëve, përfshirë trafikantëve të njerëzve dhe drogës, apo edhe rrëmbyesve.

Gruaja, e cila dyshohet se kishte ngritur një biznes me identitet fals dhe ka ndihmuar në pajisjen me pasaporta në qindra raste u arrestua nën akuzën e mashtrimit.

Agjencia Kombëtare e Krimit bën me dije se ajo është e lënë lirë, teksa hetimet po vijojnë.

“Ne besojmë se ky rrjet i ka ofruar kriminelëve një mënyrë për të marrë pasaporta në Mbretërinë e Bashkuar, duke u dhënë atyre mjetet për të kryer krime të rënda dhe për të lëvizur nën radarin e zbatimit të ligjit”, u shpreh Andrea Wilson, kreu rajonal i Agjencisë Kombëtare të Krimit.