Në 49 vjetorin e UP-së, nënshkruhet Deklarata e përbashkët e universiteteve publike shqiptare

E publikuar: 15/02/2019 16:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në 49 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u mbajt Konferenca e rektorëve të universiteteve publike shqiptare e titulluar “Arsimi i lartë shqiptar dhe ballafaqimi me të ardhmen”.

Në këtë konferencë morën pjesë rektorë dhe zëvendësrektorë nga universitetet publike shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Pjesëmarrësit në këtë takim analizuan zhvillimet historike dhe aktuale në arsimin e lartë shqiptar, duke u pajtuar së bashku për të institucionalizuar këtë konferencë dhe për bashkëpunim më të ngushtë në vazhdimësi, me synim avancimin e arsimit të lartë në hapësirat shqiptare.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, falënderoi rektorët, që iu janë përgjigjur ftesës për të qenë së bashku në këtë përvjetor të rëndësishëm për universitetin, Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar.

“Duke pasur parasysh rolin, që Universiteti i Prishtinës ka pasur që nga themelimi i tij për kombin shqiptar, ju ftoj të gjithë juve të punojmë bashkërisht që arsimi të jetë prioritet kombëtar. Le të punojmë së bashku për një arsim sa më cilësor, i cili do të jetë në shërbim të shoqërisë sonë dhe do të jetë baza kryesore për zhvillim të kombit” u shpreh rektori Dema në fjalën e tij.

Rektorët dhe përfaqësuesit e universiteteve publike shqiptare falënderuan universitetin nikoqir për iniciativën. Ata uruan Universitetin e Prishtinës për përvjetorin dhe të arriturat e tij, duke konstatuar që UP-ja aktualisht është në stadin më të mirë të zhvillimit, që nga themelimi i tij.

Rektorët gjatë këtij takimi shtruan problematikat e mungesës së autonomisë në universitete publike, mungesës së vëmendjes ndaj kërkimit shkencor dhe probleme të tjera me të cilat përballen universitetet publike sot. Të pranishmit u zotuan për të punuar fuqimisht drejt rritjes së cilësisë, zgjerim të lirisë akademike, krijim të standardeve, përmirësim të shërbimeve për studentë, përballim të sfidave teknologjike të kohës, reformim të arsimit të lartë dhe objektiva të tjera, të përfshira në deklaratën e përbashkët, të nënshkruar nga përfaqësuesit e universiteteve publike shqiptare.

Përfaqësuesit e universiteteve shtruan edhe idenë e krijimit të një fondi të përbashkët të universiteteve shqiptare, i cili do të mundësonte shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik ndërmjet tyre.

Rektorët u dakorduan, që takimet e universiteteve publike shqiptare të jenë takime periodike./Infosot/