Në 2018-ën ishin 21.5 mijë faqe me domain .al

E publikuar: 17/05/2019 12:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Viti 2018 pati një debat të gjerë për regjistrimin e domaineve .al ose mbajtjen e tyre të bllokuar nga regjistrues të caktuar, të cilët kalonin numrin mbi 10.

Kjo bëri që të rishikohej rregullorja por hasi në rezistencën e regjistruesve. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i është rikthyer kësaj pjese në raportin vjetor të vitit të shkuar, duke bërë një përmbledhje për situatën në fundvit. Referuar shifrave, AKEP raportoi se numri i domaineve .al dhe nëndomaineve të regjistruar për vitin 2018 është 5742 domaine, kurse numri total i domaineve .al dhe nëndomaineve në fund të vitit 2018 ishte 21.537 domaine.

“Vihet re se kemi pothuajse të njëjtin numër të domaineve të regjistruar krahasuar me vitin 2017, ndërsa rritja totale e numrit të domaineve gjatë vitit 2018 është rreth 7%. Vazhdon përsëri edhe për vitin 2018 trendi i regjistrimit të domaineve tek regjistrarët e akredituar, ku AKEP mbetet Regjistrues në vendin e tretë për sa u përket numrit total të domaineve”, – vlerëson AKEP.

Nëse shohim me vëmendje se cilat janë domainet e faqeve shqiptare që përdoren më rëndom rezulton që (.al) është kryesori me mbi 19 mijë faqe të tilla (.com.al) janë mbi 1 mijë (.gov.al) që janë kryesisht institucione shtetërore rezultojnë 375 deri në fund të vitit 2018, kurse edu.al që janë kryesisht universitetet, janë 148 të tilla.

“Gjatë vitit 2018 janë përditësuar të dhënat e poseduesve të rreth 3200 domaineve.al dhe nëndomaineve. Për këtë, është bashkëpunuar ngushtësisht me Regjistruesit e domaineve, pasi shumica e domaineve .al dhe nëndomaineve, është regjistruar prej tyre. Kjo gjë do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2019, me qëllim përditësimin e të dhënave të poseduesve të çdo domaini .al dhe nendomaini” thuhet në raport.

Nisma e ndërmarrë një vit më parë për t’ju lënë regjistruesve vetëm 10 domaine “rezervë” u argumentua nga AKEP me faktin që shumë biznese nuk kishin mundësi të përdornin domainin e saktë të tyre për shkak se ajo kontrollohej nga një palë e tretë. /Monitor