Ndryshimet e pariparueshme klimatike: Për 80 vite shumë qytete do të përmbyten nga uji e shumë të tjera nga thatësira! (Video)

E publikuar: 01/08/2017 07:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bota mund të ballafaqohet me ndryshime shkatërrimtare të klimës. Këtë rezultat e jep studimi i Universitetit të Washingtonit, që është publikuar në revistën Nature Climate Change.
Shkencëtarët të cilët kanë marrë pjesë në hulumtim, me 90 për qind siguri thonë se temperatura do të rritet nga 2-4.9 gradë Celsius – krahasuar me periudhën para revolucionit industrial. Këtë zhvillim nuk do ta ndalin as masat e marra për të reduktuar emetimet e gazit serrë, transmeton Telegrafi.

Në këtë moment, shkencëtarët besojnë se bota do të goditet nga efektet shkatërrimtare të thatësirës, kushteve ekstreme të motit dhe rritjes së rrezikshme të nivelit të detit.
Rritja e temperaturës me dy gradë konsiderohet pika pas së cilës ndryshimet do të bëhen të pandalshme. Ndërsa, me siguri nuk do të jemi në gjendje për të ndalur ngrohjen në 1.5 gradë Celsius, siç parashikohet me Marrëveshjen e Parisit për Klimën. Madje, me 99 për qind ka të ngjarë që ngrohja ta kalojë atë linjë.

Dr. Dargan Frierson thotë se edhe me 1.5 gradë bota do të has në probleme me mënyrën e jetesës. Ndërsa, shton me bindje se temperatura do të rritet edhe më shumë.

Hulumtuesit shqyrtuan të dhënat në lidhje me popullsinë dhe aktivitetit ekonomik në 50 vitet e fundit, për ta krijuar këtë parashikim. Parasysh kanë marrë “intensitetin e karbonit” ose sasinë e karbonit të emetuar për çdo dollar të aktivitetit ekonomik.
Kjo qasje është e ndryshme nga ajo e përdorur nga studiuesit e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, shkruan The Independent, transmeton Telegrafi.

“Analiza jonë është në përputhje me parashikimet e mëparshme, por tregon se nuk ka gjasa të ndodhin skenarët optimistë. Jemi buzë greminës”, thotë profesori Adrian Raferty, i cili udhëhoqi ekipin e Universitetit të Washingtonit. “Qëllimet e përcaktuara me Marrëveshjen e Parisit janë ambicioze dhe reale. Por, lajmi i keq është se nuk janë të mjaftueshme për të mbajtur ngrohjen nën 1.5 gradë”.

Një tjetër studim i publikuar së voni tregon se edhe nëse emetimet e lëndëve djegëse fosile bien këtë vit, deri në fund të shekullit temperaturat do të rriten në 1.3 gradë Celsius.

“13 për qind janë shanset që Toka deri më 2100 do të jetë më e ngrohtë se 1.5 gradë”, thotë Dr. Thorsten Maurits, nga Instituti Max Planck në Gjermani.

Në anën tjetër, Business insider ka përpiluar një video që tregon se si qytetet e madhe për vetëm 80 vite mund të përmbyten nga uji.

“Qindra qytete të mëdha në botë mund të zhduken. Në SHBA mund të zhduken përgjithmonë Atlantic City, New Jersey, Gavelstone…”, thuhet aty.

Agjencia Kombëtare për Hulumtim të Oqeaneve dhe atmosferës (NOA) më herët ka paralajmëruar për ngritjet ekstreme të nivelit të detit që mund të godasin 670 vende bregdetare.