Ndotja e sigurt e Prishtinës, banorëve u lejohet të përdorin qymyrin

E publikuar: 21/10/2018 14:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sipas të gjitha gjasave, ndotja e ajrit në Prishtinë dhe qytetet rreth saj do të ndodhë edhe këtë dimër. E kjo për shkak se qytetarëve nuk do t’u ndalohet përdorimi i thëngjillit. Ndalesë për përdorimin e kësaj lënde djegëse do të ketë vetëm për institucionet publike. Këtë për Express e ka konfirmuar Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

Vendimi për ndalimin e përdorimit të thëngjillit në institucionet publike është dërguar në qeverinë e Kosovës, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH). Ky vendim, pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës në qeveri.

Mirëpo, një gjë e tillë nuk do të bëhet për qytetarët që e shfrytëzojnë thëngjillin si lëndë djegëse për t’u ngrohur gjatë dimrit. Ata mund ta përdorin, derisa të bëhet një shtrirje më e madhe e rrjetit të ngrohjes qendrore në kryeqytet.

“Edhe këtë vit është një rrezik i madh i ndotjes së ajrit, sepse ne nuk mund të ua ndalojmë shtëpive përdorimin e thëngjillit, këtë mund ta bëjmë vetëm për institucionet publike. Me këtë ne mund ta zbusim ndotjen e ajrit, por jo ta zgjidhim krejtësisht, pasi nuk mjaftojnë dy apo tri vite për këtë gjë”, ka thënë Ministri i MMPH’së, Fatmir Matoshi.

Matoshi, ka thënë se vendimi i dërguar për diskutim në qeveri, nuk ua ndalon përdorimin e thëngjillit qytetarëve, mirëpo do të shtohet kujdesi i policisë dhe inspektoratit të komunës së Prishtinës, që shitja ilegale e thëngjillit të kontrollohet dhe të ndalohet.

“Për aq sa mundemi me inspektorët tanë do ta ndalojmë shitjen, kemi kërkuar nga policia dhe inspektorati komunal i Prishtinës që të jenë të kujdesshëm me këtë çështje, pasi kemi informacione që thëngjilli që shitet në rrugë është ilegal, pa letra”, është shprehur Matoshi.

Në bazë të kësaj, ndotja e ajrit të Prishtinës, por edhe qyteteve rreth saj si Fushë Kosovës, Obiliqit e Graçanicës do të vazhdojë të bëhet edhe këtë dimër.
Ai ka shtuar se Termokosi nuk është duke e përdorur thëngjillin, por mazutin dhe metodën e koogjenerimit.

Projekti i koogjenerimit kap vlerën prej 37 milonë eurosh, para këto të siguruara nga Komisioni Europian, Qeveria Gjermane përmes Bankës për Zhvillim, Qeveria Suedeze, Qeveria e Luksemburgut, Komuna e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovës.

Ky projekt mundëson rehabilitimin e sistemit të ngrohjes qendrore të Prishtinës dhe siguron ngrohje të qëndrueshme, efikasitet më të lartë si dhe ambient më të pastër.

Vitin e kaluar, ndotja e ajrit ka qenë shqetësuese për qytetarët e Prishtinës dhe qyteteve tjera rreth saj. Ekspertët e shëndetësisë në Kosovë patën theksuar se numri i të sëmurëve nga mjedisi i ndotur ishte shtuar, në veçanti në muajin dhjetor, duke shtuar kështu problemet me mushkëri dhe sëmundjet tjera respiratore./GazetaExpress