Ndikimi në rritje i grupeve ekstremiste në Kosovë

E publikuar: 28/06/2017 16:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analiza e fundit e bërë nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar i Shteteve të Bashkuara (USAID), mbi parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, ka vënë në pah se Kosova mund të bëhet objekt i sulmeve terroriste.

Në këtë analizë janë dhënë perceptimet e qytetarëve të Kosovës lidhur me ekstremizmin e dhunshëm dhe rezistencën e shoqërisë ndaj presioneve të brendshme dhe të jashtme që ndihmojnë depërtimin e ideologjive fetare ekstremiste dhe mënyrat se si institucionet mund ta rrisin këtë rezistencë.

Rezultatet e grupeve të fokusit konfirmojnë gjetjet se ndikimi i grupeve ekstremiste në Kosovë është rritur.
Atdhe Hetemi menaxher i projektit në UNDP, ka thënë se rezultatet nga grupet e fokusit sugjerojnë se perceptimi i kërcënimit të sulmeve terroriste është më i lartë se gjatë viteve të mëparshme.

“Janë disa faktorë që hartuesit e këtij dokumenti i kanë identifikuar si faktorë shtytës për ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë. Ato janë pakënaqësia e qytetarëve me sistemin e ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësorin në Kosovë. Pastaj mungesa e pjesëmarrjes në aktivitet të organizuara nga shoqëria civile, komunat ose institucionet e qendrore të Kosovës”.
“Po ashtu si faktorë është edhe ndjenja e izolimit, stigmatizimi nga shoqëria i atyre njerëzve që janë më praktikues të fesë, papunësia, varfëria dhe kushtet e tjera socio-ekonomike, veçanërisht sistemi i dobët i arsimit”, ka theksuar Hetemi.

Përveç faktorëve shtytës në radikalizmin e dhunshëm që shpie në terrorizim, Hetemi thekson se studimi vë në pah edhe faktorët tërheqës.

“Globalizimi si fenomen është faktorë kyç tërheqës sa i përket radikalizmit të mundshëm të njerëzve në përgjithësi, mandej organizatat humanitare që kanë ardhur nga Lindja e Mesme gjithashtu kanë qenë faktorë tërheqës, literatura e printuar me përmbajtje radikale dhe ekstremiste të interpretimit të çështjeve të caktuara religjioze, interneti dhe rrjetet sociale”, thekson Hetemi.

Në këtë studim, sipas Hetemi, potencohet se gratë në Kosovë kanë një potencial të madh për të ndihmuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, sepse siç thekson ai, ato vërejnë shenjat e radikalizmit të anëtarëve të familjes në fazat e tyre të hershme.

Për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm, sipas UNDP-së kërkohen masa urgjente të ngritjes së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pushtetit qendror dhe lokal në Kosovë.
Edhe përfaqësues të mekanizmave të sigurisë dhe gjyqësorit në Kosovë, në një konferencë të mërkurën kanë thënë se janë të vendosur në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Ata kanë theksuar se një aspekt shumë i rëndësishëm i luftimit të terrorizimit është edhe financimi i terrorizmit dhe pastrimi i parave.

Sipas tyre, sa më të suksesshëm të jenë institucionet në ndaljen e financimit të terrorizmit, aq më të mëdha janë gjasat që të luftohet terrorizmi.
Gjatë vitit të kaluar sipas të dhënave të Prokurorisë së Shtetit ka pasur ngrirje të parave të gatshme në vlerë prej 500.000 euro, kur para të dyshimta janë pranuar në llogari të disa individëve brenda vendit.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se Kosova dhe sistemi prokurorial i ka dhënë rëndësi të posaçme luftimit të terrorizmit.
Sipas tij, sistemi prokurorial ka goditur në themel aktivitetit dhe grupet terroriste.

“Lufta kundër terrorizimit pastrimit të parave krimit të organizuar dhe korrupsionit janë elemente të rëndësishme drejt rrugës së Kosovës në BE . Kjo rrugë kërkon që të zbulohen hetohen dhe ndëshkohen të gjitha ata individë që paraqesin rrezik për sigurinë, lirinë dhe drejtësinë për vendin tonë. Terrorizmi është një problem ndërkombëtarë me të cilin po ballafaqohet bota, fatkeqësisht edhe vendi ynë nuk ka mbetur imun ndaj kësaj sfidë të sigurisë”, ka theksuar Lumezi.

Për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, Kosova tanimë ka në zbatim Strategjinë Nacionale.
Së paku, 300 shtetas të Kosovës kanë marrë pjesë në konfliktet e huaja në Siri dhe Irak, të pozicionuar në anën e organizatave të shpallura terroriste, siç është i ashtuquajturi Shteti Islamik dhe Al-Nusra.
Një numër prej tyre, kanë humbur dhe jetën e tyre në këto vatra.
Strukturat e sigurisë në vend kanë theksuar se në fushëbetejat e huaja janë duke qëndruar ende 140 persona, në mesin e të cilëve ka edhe gra dhe fëmijë. Nga këto vende të luftës, në Kosovë tashmë janë kthyer 100 persona. /REL/