Ndikimi i izolimit në marrëdhëniet shoqërore

E publikuar: 02/04/2020 19:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kohën e përhapjes së COVID-19 – sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri – psikologët thonë se distanca fizike, që kërkohet të mbahet për të parandaluar përhapjen e virusit, nuk duhet të shndërrohet në distancë emocionale me të afërmit.

Sipas psikologëve, në këtë kohë, do të shpërfaqet raporti i vërtetë që kanë pjesëtarët e shoqërisë me familjet e tyre.

Për të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë psikologjike gjatë izolimit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se Klinika Universitare për Psikiatri, ka vënë në dispozicion disa linja telefonike, ku qytetarët mund të thërrasin nëse ju duhet ndihma e psikologëve dhe psikiatërve.

Psikologia Edlira Destani, thotë për Radion Evropa e Lirë se izolimi i njerëzve, që është imponuar në këtë kohë të përhapjes së koronavirusit, i bënë ata që të mos kenë qëndrueshmëri emocionale, si rrjedhojë e shumë të panjohurave që ekzistojnë rreth koronavirusit të ri.

Ajo shton se mënyra më e mirë për ta ruajtur shëndetin mendor është bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe bashkëbisedime me anëtarët e familjes, por edhe me personat e tjerë të afërt.

“Ende frika, paniku si dhe problematikat tjera që kanë të bëjmë me dilemat që ngriten lidhur me atë se a janë të gjitha të vërteta ato që po na servohen, të gjitha këto po bëjnë një pikëpyetje shumë të madhe dhe jemi para një situate që ndryshon nga një vend në vend tjetër, nga një person në tjetrin”, thotë Destani.

Ndërkaq, sociologu Iljo Trajkovski thotë se izolimi në shtëpi, që po bëhet për të parandaluar përhapjen e mëtejme të koronavirusit, do të nxjerrë në sipërfaqe marrëdhëniet e vërteta të njerëzve me të afërmit e tyre, por edhe me shoqërinë në përgjithësi.

“Po e shohim se po ndryshon forma e komunikimit. Ky ndryshim i mënyrës së komunikimit, vë në shqyrtim marrëdhëniet miqësore, një pjesë e së cilave do të dobësohet dukshëm dhe një pjesë, pavarësisht distancës, komunikimi përmes teknologjisë, do t’i forcojë këto marrëdhënie”.

“Falë teknologjisë informative, komunikimi do të vazhdojë. Por, komunikimi do të vendosë në peshore miqësinë e vërtetë. Përderisa një pjesë e madhe e popullatës këtu jeton me pagë që është nën mesatare, në pah do të dalin problemet sociale. Në këtë situatë, do të vihet në sprovë aspekti social, ndihmesa, përkujdesja.. gjëra këto që pas izolimit do të na detyrojnë të rishqyrtojmë raportet që kemi me njerëzit përreth”, thotë Trajkovski.

Ndërkaq, psikologia Destani thotë se izolimi do të bëjë që njerëzit të reflektojnë.

“Besoj se një reflektim i gjatë në këtë periudhë të izolimit te të gjithë personat do të ndryshojë shumëçka. Do të ndryshojë shumëçka te njerëzit, por duhet të dihet se izolimi nuk është i njëjtë për të gjithë personat. Për shembull, disa vende kanë izolim total e disa jo. Dhe për aq kohë sa të mos ketë kontakt në përgjithësi një person me persona të tjerë dhe të mos ketë aktivitete të përditshme, ai person do të shikojë në brendinë e vetë për gjërat duhet të largojë, nga veprimet që ka bërë më herët dhe të kuptojë se si do të jetë kontakti me botën më vonë (pas izolimit)”, thotë Destani.

Në këtë drejtim, sociologu Trajkovski thotë se nga periudha e izolimit do të përfitojnë ata persona që do ta shfrytëzojnë këtë kohë të përfitojnë njohuri të reja rreth fushave që ata kanë interes. Sipas tij, këta persona e mbajnë veten të angazhuar dhe kështu e ruajnë edhe shëndetin mendor.

“Nuk ka zëvendësim për realizimin e raporteve fizike ashtu siç jemi mësuar apo kemi praktikuar deri më tani. Teknologjia nuk është zëvendësim, por paraqet mënyrë krejtësisht të ndryshme të komunikimit, komunikim ky që për gjeneratën e mesme dhe atë më të vjetër, shumë vështirë pranohet si i natyrshëm. Prandaj, gjithnjë e më shumë na duhen këshilla nga psikologët për të na ndihmuar që këtë sfidë ta tejkalojmë sa më lehtë që është e mundur”, thekson Trajkovski.

Përse numrat nuk e tregojnë rrëfimin e plotë?

Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë.

Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.

Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.

Si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, qeveria në Shkup ka kufizuar lëvizjen e personave mbi 65 vjeç. Ata mund të lëvizin lirshëm, në oraret kur një gjë e tillë nuk lejohet për personat më të rinj në moshë.

Po ashtu, janë ndërmarrë edhe një sërë masash të tjera, si mbyllja e shkollave, teatrove, kinemave dhe janë anuluar shumë aktivitete. Ndërkaq, dyqanet ushqimore, bankat dhe në vende publike, janë vendosur shenja për të udhëzuar qytetarët që të mbajnë distancë prej dy metrash nga të tjerët.

Në Maqedoni të Veriut, afro 400 persona janë infektuar me koronavirus, ndërkaq 11 të tjerë kanë vdekur.