Ndëshkim për ata që keqpërdorën testet e maturës

E publikuar: 08/06/2015 10:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQSHM) sot do të deklarohet rreth rastit dhe masave konkrete që do të merren për ata persona që kanë keqpërdorur testet e Maturës.
Azem Guri, kryetar i KQSHM-së, ka thënë për “Zërin” se Divizioni për Vlerësim dhe Standarde është duke punuar për të verifikuar nëse ky test që ka qarkulluar në rrjetet sociale është test i hartuar për Provimin e Maturës 2015.
Guri ka thënë se shpërndarja e këtyre testeve është grup dhe veprim i izoluar, ndërsa ka theksuar se si proces provimi i maturës ka shkuar mirë, duke u administruar sipas agjendës dhe planit të Ministrisë. Guri ka mohuar të diskutohet për anulim të këtij testi në nivel vendi.
“Absolutisht nuk ka bazë të anulohet testi në nivel vendi. Janë grupe të izoluara dhe do të anulohet nëse ka nevojë në atë komunë, shkollë apo paralele ku është bërë kopjimi”, ka thënë ai.
Guri ka bërë të ditur se Divizioni për Vlerësim dhe Standarde do të dalë nesër (hënë) me raport rreth këtij rasti.
“Sipas raportit dhe të dhënave që na ofrohen do të merren edhe masa”, ka thënë ai. /klankosova/