Ndeshjet me të mëdhenjtë, pika e dobët e Ancelottit

E publikuar: 23/03/2015 19:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Që nga momenti i uljes së “Don Carlo”-s në stolin e “mbretërorëve”, “los blancos” kanë humbur pothuajse çdo takim të rëndësishëm në ligë.

Me arkivimin e disfatës së Realit në Camp Nou shtypi spanjoll i rikthehet debatit mbi trajnerin italian Carlo Ancelotti. Pavarësisht përmirësimit të dukshëm në aspektin e lojës e përditshmja “AS” nuk humbet aspak kohë por nxjerr në dritë një bilanc të përgjithshëm të 55-vjecarit emilian në lidhje me ndeshjet e rëndësishme që Ancelotti ka drejtuar si trajner në kampionatet më të rëndësishëm në kontinent. Që nga viti 1999 kur u emërua te një klub si Juventusi e deri tani në ligat e ndryshme ku ka stërvitur ekipe trajneri italian ka fituar vetëm 26 nga 71 takimet ndaj skuadrave të tre vendeve të para. Një statistikë tepër e dobët, pra vetëm 36%, ku bie në sy kampionati spanjoll pasi ecurinë më negative në karrierë në këtë aspekt Ancelotti e ka patur pikërisht në Primera Division. Që nga momenti i uljes së “Don Carlo”-s në stolin e “mbretërorëve”, “los blancos” kanë humbur pothuajse çdo takim të rëndësishëm në ligë. Në këto dy sezone për shembull duelet me Barçën dhe Atletikon i kanë kushtuar shtrenjtë klubit dhe tifozët kanë mbetur tepër të befasuar nga rendimenti shumë i dobët, pasi në kampionat Reali në këto dy vjet numëron 6 humbje, 1 barazim dhe 1 fitore.

Ndonëse bëhet fjalë për një trajner që ka fituar 3 Champions me dy skuadra të ndryshme, studimi shkon akoma më larg dhe në bazë të statistikave arrin në përfundimin se trajneri emilian has vështirësi në kampionat, për të fituar ndeshjet kryesore. Në fakt në 17 vjet Ancelotti ka fituar vetëm 3 kampionate gjithsej, në katër pej kampionateve më të fortë në planet, me klube të tillë si Milan, Chelsea dhe Paris SG e bilanci i përgjithshëm i tij në 71 ndeshjet ndaj kundërshtarëve të tre vendeve të para është 26 fitore, 17 barazime dhe 28 humbje. Carlo Ancelotti ka drejtuar 5 ndër klubet më të fortë në rruzull dhe historia për të nis në vitin 1999 kur me Juventusin koleksionoi 4 humbje, 4 barazime dhe 3 fitore, madje në sezonin 2000-01 me bardhezinjtë trajneri nga Reggiolo nuk fitoi asnjë nga ndeshjet e rëndësishme. Me Milanin, Ancelotti numëron 15 humbje, 10 barazime dhe 13 fitore, ndaj skuadrave të tilla si Roma, Inter apo Juventus, por të paktën me kuqezinjtë gjatë kësaj periudhe Ancelotti fitoi 2 Champions dhe 1 kampionat, që nuk është pak. Qëndrimi te Chelsea përbën njëkohësisht edhe periudhën më pozitive, pasi në ishull në 8 ndeshje të tilla trajneri emilian krenohet me 6 fitore dhe vetëm 2 humbje gjithsej, që përkuan edhe me titullin e bluve në sezonin 2009-10. Edhe në Francë gjërat nisën keq për të sepse në sezonin e parë nuk fitoi dot ndaj ekipeve si Lille e Montpellier, sidoqoftë gjithcka ndryshoi në edicionin pasardhës ku Ancelotti nuk njohu humbje ndaj skuadrave të kreut dhe me një bilanc 3 fitore, 2 barazime e vetëm 1 humbje trajneri italian legjitimoi titullin me Paris SG. Në Spanjë gjërat ndryshojnë shumë në Champions dhe Kupën e Mbretit, por në kampionat Reali i tij është mundur 3 herë me Barcën dhe 3 herë me Atletikon dhe i vetmi triumf në Primera Division është ai i fazës së parë në Santiago Bernabeu, ku fitorja 3-1 ndaj Barcelonës konsiderohet edhe si ndeshja më e mirë e Realit në “periudhën Ancelotti”. Pra në bazë të këtyre statistikave në Primera Division natyrisht 55-vjecari emilian nuk është në lartësinë e famës së tij, që e rendit atë ndër trajnerët më të mirë të historisë.