Ndërgjegjësimi për Holokaustin

E publikuar: 10/05/2018 18:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një studim i ri i organizatës që kërkon dëmshpërblimin e viktimave të përndjekjes naziste, konstanton se amerikanët kanë pak njohuri për holokaustin, skemën shtetërore të persekutimit sistematik dhe vrasjes së 6 milionë çifutëve nga regjimi nazist dhe bashkëpunëtorët e tij. Anketimi tregon se mbi 90% dëshirojnë që fëmijët të mësojnë për këtë në shkolla. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anush Avetisyan, është hapur në Uashington një ekspozitë që tregon se si vetë Shtetet e Bashkuara reaguan ndaj genocidit të gati 70 vjetëve më parë.

Dhjetëra njerëz presin në radhë përpara Muzeut të Holokaustit për të parë ekspozitën e re.

“Izolacionizmi i vetë Amerikës pas Luftës së Parë Botërore, ksenofobia, racizmi dhe anti-semitizmi këtu në SHBA, ndikuan mbi mënyrën si iu përgjigjëm zhvillimeve ndërkombëtare. Kriza ekonomike e Depresionit të Madh dhe të gjitha kushtet e tjera i dhanë formë reagimit të amerikanëve ndaj nazizmit”, thotë historiani Daniel Greene, përgjegjës i ekspozitës.

Harta interaktive, rezultate anketimesh, si dhe faqet e para të gazetave të asaj kohe, tregojnë se megjithë dijenitë për Gjermaninë naziste, amerikanët ishin fare pak të informuar për persekutimin masiv të hebrenjve. Historiani Daniel Greene e emërton këtë fenomen “dështim të imagjinatës”.

“Edhe banorët e Indianës mund të lexonin në gazetën lokale të shtatorit 1935, për ligjet e Nurembergut që u hoqën shtetësinë hebrenjve. Pra, edhe po të mos jetoje në një metropol kryesor, mund të lexoje për kërcënim nazist në mbarë SHBA-në”, thotë zoti Greene.

Në vitet 1930-të, SHBA-ja përcaktoi kuota strikte për të kufizuar emigracionin.

Megjithëse shumë njerëz ende mund të hynin në rrugë të ligjshme, shumë pak refugjatë pranoheshin. Çdo valixhe këtu përfaqëson 5 mijë njerëz që prisnin për të marrë një vizë amerikane. Shumë vdiqën pa e marrë dot kurrë.

“Periudha pritjes për të marrë vizë në vitin 1933 ishte 3 vjet, dhe në vitin 1939 u bë 11 vjet. Në listën e pritjes për viza ishin mbi 300 mijë njerëz të lindur në Gjermani”, tregon zoti Greene.

Në nëntor 1938, amerikanët dëgjuan për Natën e Kristaltë, gjatë së cilës u kryen fushata përndjekëse ndaj bizneseve të vogla të hebrenjve në Gjermani. Një seri anketimesh u zhvilluan në SHBA atë vit. Kur u pyetën nëse i mbështesnin veprimet e nazistëve, 94% e amerikanëve u përgjigjën “jo”. Por, kur u pyetën nëse do të lejonin më shumë refugjatë gjermanë të hynin në SHBA, 71% u përgjigjën negativisht. Kështu fitoi izolacionizmi.

Vetëm pas mposhtjes së nazistëve në maj 1945 u shfaqën fotot e para të kampeve të vdekjes dhe amerikanët panë përmasat e vërteta të masakrës.

Ekspozita “Amerikanët dhe Holokausti” ka ringjallur jo vetëm interesin për Holokaustin, por edhe vetëdijen për paralelizmat e rrezikshme të kohëve moderne.

“Dallohet tek urgjenca me të cilën administrata Klinton trajtoi Kosovën dhe Bosnjën, kur pikasën se kishte gjenocid të mundshëm. Madje edhe tek reagimi ndërkombëtar ndaj Ruandës në po atë dekadë të viteve ’90-të”, thotë Ron Kampeas, shef i redaksisë në Uashington të Agjensisë Telegrafike Hebraike.

Ekspozita risjell në kujtesë shumë prej tmerreve të Holokaustit dhe provon edhe njëherë se heshtja dhe dëshira për t’u distancuar nga tragjedia e dikujt tjetri mund të çojë lehtësisht drejt katastrofës.