Ndalohet pjesëmarrja e ekipit rus në Paraolimpike

E publikuar: 01/02/2018 05:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komiteti Paraolimpik Ndërkombëtar (IPC) ndaloi pjesmarrjen e ekipit rus në Lojërat Dimërore të PyeongChang-ut, por do të lejojë atletë të veçantë të konkurrojnë nën një flamur neutral.

Në një deklaratë komiteti tha se “i qëndron vendimit për pezullim të Komitetit Paraolimpik Rus (RPC)”, për shkak të përdorimit në të kaluarën të dopingut.

Por, vazhdon deklarata, “duke njohur progresin e bërë nga Komiteti Paraolimpik Rus në drejtim të aktiviteteve anti-doping”, Komiteti Paraolimpik Ndërkombëtar do të lejojë atletë të veçantë që plotësojnë kushte të caktuara për të konkurruar në pesë sporte si atletë neutralë në lojrat që zhvillohen në datat 8 deri 18 mars.

Ekipi i “Atletëve Paralimpikë Neutralë (NPA)” do të ketë gjysmën e numrit të atletëve rusë që konkurruan në Soçi në vitin 2014.

Këto janë garat e dyta Paraolimpike që zhvillohen pa një ekip rus. Vendi u përjashtua për herë të parë nga Paraolimpiket e Rio de Janeiros në vitin 2016 pas akuzave për përdorim dopingu të sponsorizuar nga shteti.

Qeveria ruse ka mohuar vazhdimisht të ketë mbështetur ndonjë program dopingu.