Ndalet uji në dy hidrocentrale për kërkimin e dy policëve të zhdukur

E publikuar: 02/05/2018 16:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor sot rreth orës 16:00 në dy hidrocentrale të rajonit të Ferizajt do të bëhet ndërprerja dhe orientimi i rrjedhjes së ujit drejt kanaleve të ujitjes në disa fshatra të rajonit të Kaçanikut.

Sipas policisë, ky hap do të ndërmerret me qëllim të zvogëlimit të nivelit të ujit të lumit Lepenc, në mënyrë që të lehtësohet kërkimi i dy zyrtarëve policorë.

“Fshatrat e rajonit të Kaçanikut nëpër të cilat pritet të kalojë uji në kanalet e ujitjes janë: fshati Doganaj, Sopanicë, Tushaj, Dubravë dhe Nikaj” thuhet në njoftimin e policisë.

Siç është bërë e ditur deri më tani që nga rënia në lumë e dy policëve të sshtunën në vendin e ngjarjes janë angazhuar menjëherë të gjitha njësitë relevante të Policisë së Kosovës.

Këto njësite janë koordinuar dhe kanë bashkëpunuar me të gjitha institucionet tjera përgjegjëse, si: Prokuroria, Agjencia e Menaxhimit Emergjent, njësitet e FSK-së, njësite të ndryshme të kërkim-shpëtimit, ekipe të zhytësve, KFOR-i, si dhe zyrtarë policorë vullnetarë, ekipe të ndryshme vullnetare, zhytës, alpinistë, qytetarë etj., të cilët për ditë me radhë, janë vënë në kërkim të dy policëve.

KALLXO.com vazhdimisht e ka ndjekur aksionin e kërkimit të dy policëve.