Natoja dëbon diplomatë rusë

E publikuar: 28/03/2018 17:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rusia tha sot se do t’i kundërpërgjigjet në mënyrë proporcionale dëbimit masiv të diplomatëve rusë nga vendet perëndimore që erdhi si reagim ndaj sulmit nervor kundër një agjenti të dyfishtë rus dhe të bijës së tij në Britani. Ministria e jashtme ruse tha gjithashtu se Londra duhet të provojë se helmimi nuk është bërë nga agjentë britanikë. Rusia e mohon përgjegjësinë për helmimin dhe ka premtuar se kundërpëgjigja do të vijë brenda një jave. Ndërkohë, NATO-ja iu bashkua të paktën 25 vendeve, duke dëbuar disa diplomatë rusë si pjesë e reagimit ndërkombëtar. Siç njofton nga Departamenti i Shtetit korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, SHBA po mbrojnë vendimin e tyre për dëbimin e 60 rusëve, por disa kritikë shtrojnë pyetjen se a është ky hap i mjaftueshëm për të frenuar agresionin rus.

Pasojat ndërkombëtare po shtohen pas sulmit në Salisbury ndaj agjentit të dyfishtë Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia. Është tani NATO-ja që redukton misionin rus në Bruksel, duke e ulur në 10 vetë.

“Kjo i dërgon një mesazh të qartë Rusisë se sjellja e saj e papranueshme dhe e rrezikshme ka kosto dhe pasoja”.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov akuzoi Uashingtonin se po u bën trysni të tjerëve për t’u bashkuar në kundërpërgjigjen ndërkombëtare ndaj helmimit.

“Ne e dimë se ky është rezultat i presionit kolosal, shantazhit kolosal që për fat të keq është tani mjeti kryesor i Uashingtonit në arenën ndërkombëtare”.

Dje, në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, një gazetar pyeti nëse SHBA po bëjnë “presion maksimal” ndaj Rusisë, ashtu siç po veprojnë ndaj Koresë së Veriut me sanksione të ashpra ekonomike.

“Sigurisht që po ushtrojmë presion mbi Rusinë. Sigurisht që po inkurajojmë dhe punojmë me aleatët dhe partnerët tanë për ta bërë këtë, dhe mendoj se keni parë një numër të paprecedent vendesh që bashkohen me Shtetet e Bashkuara në këto përpjekje”.

E pyetur se nga e dinte administrata Trump se cilët diplomatë rusë në SHBA punojnë si agjentë, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert tha se ajo personalisht nuk i ka parë raportet e zbulimit, por se të tjerët kanë dijeni për to.

“Por mund të themi se ishin spiunë dhe ne po i dëbojmë; vendi do të jetë më i sigurt. Ne do të jemi më mirë si vend me 60 spiunë më pak”, tha zëdhënësja.

Zonja Nauert i bëri thirrje Rusisë të kërkojë ndjesë për sulmin me agjent nervor dhe t’i japë fund sjelljes së saj “të papërgjegjshme”, akuzë që Moska e mohon me forcë.