NATO e gatshme për çfarëdo rreziku me të cilin mund të përballet Kosova

E publikuar: 04/09/2015 19:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë Gjenerali, Philip Breedlove, tha sot se situata në Kosovë vazhdon të jetë e qetë dhe e sigurt, për çka KFOR-i ka dhënë një kontribut të madh në sigurimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt
Megjithatë, ai nuk dha ndonjë kohë të caktuar se kur mund të largohet KFOR-i nga Kosova, duke thënë se forcat e NATO-së do të jenë në Kosovë derisa të jetë e nevojshme.

Gjenerali amerikan, gjatë vizitës në Kosovë, tha se është kënaqësi t’i shohë pjesëtarët e KFOR-it dhe t’i falënderojë ata për punën e shkëlqyeshme që bëjnë për ta ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë.

I pyetur për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës dhe kërkesës së serbëve për një batalion të serbëve brenda FAK-ut, Breedlove nuk ka dashur të flasë, duke ia lënë këtë komandantit të KFOR-it, gjeneralit Guglielmo Luigi Miglieta.

Breedlove nuk është përgjigjur as nëse KFOR-i – i cili ka qenë përgjegjës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë – ka përgjegjësi edhe për vrasjet e pasluftës, të cilat do të jenë objekt hetimi edhe nga Gjykata Speciale.

Gjenerali amerikan është pyetur edhe për rrezikun e ekstremizmit, për të cilin tha se NATO do të jetë syhapur nga çfarëdo ndikimi që vjen – qoftë nga islami radikal apo jo islami – e që sjell dhunë në këto vende. /KP/