Naingolan magjik, Roma “trondit” Interin

E publikuar: 26/02/2017 22:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Radja Naingolan me dy perla të tij dhe Perroti me 11 metërsh”tronditën” Interin brenda në “San Siro”, me zikaltrit që u shfaqën të pafuqishëm për të kthyer rezultatin para publikut të tyre edhe pse e shkurtuan përkohësisht diferencën me Icardin. 1-3 përfundoi kjo supersfidë e javës së 26-të të Serisë A, rezultat që u jep një goditje të fortë objektivave të Interit për zonën Champions, ndërsa Roma ruan hapin e Juventusit, teksa distanca me kryesuesit shkon sërish në 7 pikë.

12 minuta lojë i mjaftuan Romës për të shënuar golin e parë, ku pas një kombinimi mes Dzekos dhe Naingola, mesfushori belg pasi shmangu Gagliardinin, lëshoi një trajektore të pakapshme për Handanovic.

Dzeko për pak mund të dyfushonte shifrat në të 36-ën, por reagoi me majat e gishtave Handanovic, ndërsa në fund të pjesës së parë gjuajtja rrafsh me tokën e Brozovic u devijua në fundore nga Szczesny

10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë pas një dyluftimi ajror me Gagliardinin, të cilin Tagliavento e konsideroi të rregullt, Naingolan vrapoi si i cmendur drejt portës së Interit, për të dhuruar një tjetër mrekulli nga distanca.

U duk sikur Interi u kthye në lojës me golin e Mauro Icardit që u zgjat mjaftueshëm në shtyllën e dytë për të devijuar në rrjetë asistin e Perisic.

Vetëm 4 minuta më pas Roma, cinike në lojën e saj, fitoi një 11 metërsh pas ndërhyrjes së gabuar të Medel ndaj Dzekos, që Perroti e shndërroi në gol, për rezultatin përfundimtar 1-3.