Muzeu Kombëtar i Kosovës, dy dekada në pritje të laboratorit

E publikuar: 04/01/2019 09:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Muzeut Kombëtar të Kosovës në dhjetor të vitit që shkoi i është miratuar Statuti. Kësisoj, pas 40 vjetësh funksionimi me Statutin paraprak, ky institucion me letra ka ndryshuar. Por gjendja në praktikë vazhdon të mbetet e njëjtë. Pasi e ka nënshkruar këtë dokument, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, më 24 dhjetor ka qëndruar për disa minuta edhe në bodrumin e institucionit. Ka parë nga afër gjendjen e eksponateve.

Ministria e Kulturës për vitin 2017 kishte planifikuar 50 mijë euro për laboratorin për konservim e restaurim të eksponateve në muze. Mjetet kishin mbetur pa u prekur fare. Shuma thjesht u zhvendos në buxhetin e vitit 2018. Gjendja vazhdoi të jetë e njëjtë me përjashtim të asaj se një grup punonjësish gjatë vitit të kaluar kishin bërë një vizitë në Shkup për të parë se si funksionon laboratori në institucione të tilla, shkruan sot Koha Ditore.

Të vetmin ndryshim që ka bërë MKRS-ja për këtë vit në raport me buxhetin është se në projektligj janë paraparë 20 mijë euro për renovimin e depove të Muzeut. E sa i përket laboratorit, është planifikuar që për këtë projekt mjetet të merren nga subvencionet që parashihen për institucionet e trashëgimisë kulturore.