Mustafa: “Zajednica” nuk do të krijohet sipas qejfeve të Serbisë

E publikuar: 10/01/2016 12:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa ka thënë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do rë krijohet sipas dëshirave të Serbisë.

Por, sipas tij, nuk do të krijohet as sipas “propagandave të disa forcave politike”.

“Institucionet e Kosovës, forcat politike, shoqëria civile dhe akterët e tjerë përgjegjës për zhvillimet e shtetësisë dhe shoqërisë sonë nuk do të lejojnë që të krijohet “Zajdenica” çfarë e dëshiron Serbia dhe çfarë po e propagojnë forca të caktuara politike për përdorur në luftën e tyre të papërgjegjshme për pushtet”, ka thënë Mustafa.

Ai ka theksuar më tej se Kosova do të jetë e përgjegjshme që të realizojë obligimet e veta ndërkombëtare, në kuadër të forcimit të pozicionit të saj ndërkombëtar dhe forcimit të Partneritetit strategjik euroatlantik dhe do të formojë një Asociacion të komunave me shumicë qytetarëve serbë, të vendosur në harmoni me rendin ekzistues kushtetues dhe me udhëzimet e qarta të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Mustafa, përmes Facebook-ut, ka dënuar dhunën e përdorur gjatë protestës së djeshme nga ana e protestuesve në drejtim të institucioneve të Kosovës, duke thënë se qytetarët duhet të refuzojnë vendosmërisht luftën për pushtet të partive opozitare.

“Qytetarët e Kosovës duhet ta refuzojnë vendosmërisht luftën për pushtet me priemsa të dhunës e anarkizmit që shpie në destabilizim, duhet të refuzojnë anarkizmin e prodhuar me koketeje molotovi që shkuan aq larg sa t’i japin flakën policit të Kosovës së pavarur, në detyrë të vet dhe në mbrojtje të rendit Kushtetues dhe t’i japin flakën ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe të të rinjve demonstrues”, ka shtuar më tej deputeti Mustafa.

Ndërkaq, në fund ai thotë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë kthesën që kërkon shtetndërtimi: shteti ligjor, rrahja e vendosur e korrupsionit, rritja e investimeve në punësim dhe shanse të barabarta për qytetarët e Kosovës.